Prokurori Petrit Kryeziu dhe i dyshuari për kokainë në seancën e sotme në Gjykatën e Prizrenit - Foto: KALLXO.com

Prizren, paraburgim për të pandehurin që dyshohet se u kap me kokainë në pikën kufitare me Shqipërinë

Gjykata e Prizrenit ka caktuar 30 ditë paraburgim për L.H., i cili dyshohet se u kap me kokainë në pikën kufitare në Vërmicë.

Masa e paraburgimit u kërkua nga prokurori i rastit, Petrit Kryeziu.

Sipas Prokurorisë, më 6 maj 2023, pasi i dyshuari e siguron narkotikun nga një vend i Shqipërisë, me veturën e marrë me qira (“Rent a Car”) e sjell në Kosovë.

Pas kontrollit, brenda në automjet Policia gjejnë dhe sekuestrojnë dy qese plastike me substancë narkotike të llojit kokainë. Njëra qese  me peshë 102.31 gramë, kurse tjetra me 0.82 gram i është gjetur në trup të pandehurit.

Ndërkaq, gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar edhe tri peshore dixhitale, tri pako me folie (dy folie të najlonit dhe një e aluminit).

Me këto veprime sipas Prokurorisë L.H., kishte për të kryer veprën penale – shitblerje e drogës.

Në seancën për caktimin e masës së sigurisë, prokurori Petrit Kryeziu ka deklaruar se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm.

Prokuroria ka shtuar se në bazë të të dhënave të Policisë rezulton se L.H., ka edhe një të kaluar kriminale, ku firguron në 9 raste si i dyshuar, një prej të cilave edhe për shitblerje të narkotikëve.

“Duke marrë parasysh peshën e veprës dhe mënyrën e kryerjes së veprës, ku i pandehuri tregon këmbëngulësi të veprës sa që me substancë të dyshuar për narkotikë kalon kufirin. Gjithashtu, gjatë urdhër kontrollit në shtëpinë e të njëjtit janë hasur pajisje narkotike (peshore dixhitale, folie të aluminit dhe najlonit) me të cilat ka planifikuar peshimin me qëllim të shitjes së narkotikut”- tha mes tjerash prokurori Kryeziu.

Paraburgimin e kundërshtoi i dyshuari dhe mbrojtësi i tij, Bekim Parallangaj, duke arsyetuar se substancën narkotike e kishte për përdorim personal dhe jo për shitblerje.

Paraburgimi, sipas Gjykatës, do të llogaritet nga data 6 maj dhe mund të vlejë deri më 6 qershor 2023.