Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Prizren, paraburgim për të dyshuarin për mashtrim

Gjykata e Prizrenit ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehuerit R.S., i akuzuar për mashtrim.

Paraburgimi do të zgjasë deri më 5 maj 2021.

Gjyqtarja Vjollca Buzhala ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore dhe dyshimi i bazuar se R.S., më 3 prill në Prizren me anë të paraqitjes së rreme të fakteve, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, e mashtron të dëmtuarin H.Z., dhe me këtë e nxit atë të veprojë në dëm të pasurisë së tij, ashtu që i pandehuri R.S., takohet me të dëmtuarin dhe gjatë bisedës i pandehuri i thotë të dëmtuarit se mund të rregullojë dokumentacionin rreth çështjes së pensionit të të dëmtuarit.

Sipas njoftimit të Gjykatës, pas këtyre fjalëve, i dëmtuari duke u besuar fjalëve të pandehurit, i jep para në shumën prej 221 euro, me qëllim të dokumentacionit dhe i pandehuri pasi i merr këtë shumë të parave, më nuk i lajmërohet të dëmtuarit dhe e as nuk ia rregullon çështjen e dokumentacionit të pensionit.

Gjyqtarja e procedurës paraprake ka vlerësuar se masa e paraburgimit për këtë fazë është e domosdoshme dhe janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, pasi që hetimet janë në fazën fillestare dhe duhet të merret në pyetje i pandehuri, të dëgjohen i dëmtuari dhe dëshmitarët e mundshëm.

Gjithashtu Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ka marrë parasysh edhe faktin se i pandehuri R.S., nga data baza e Policisë shihet se i ka të hapura 14 raste, ku 8 raste pikërisht janë për veprën penale të mashtrimit, e që tregon se është i padisiplinuar dhe i papërmirësueshëm.

Andaj, kjo tregon rrezikun se i njëjti po qe se do të gjendet në liri mund të përsërisë veprën penale të natyrës së njëjtë si dhe të ndikojë në mënyrë negative në ambientin dhe rrethin ku jeton si dhe më gjerë.

Gjykata ka ardhur në përfundim se masa e paraburgimit tani për tani është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit dhe se kjo ankesë nuk e shtyn ekzekutimin e tij.