Foto-ilustrim

Prizren, paraburgim për personin që dyshohet se shet rreth 400 kg drogë në javë

Gjykata e Prizrenit ka njoftuar se ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj një të dyshuari në rastin e kapjes së 400 kg kokainë.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri S.T. po akuzohet për shitblerje të narkotikëve, kultivim të hashashit apo kanabisit dhe armëmbajtje pa leje.

Gjykata ka njoftuar se paraburgimi ndaj të pandehurit S.T. është caktuar pasi që i njëjti në kohë të pacaktuar fillimisht blen  substanca narkotike marihuanë në sasi të rreth 400 kg në javë nga Shqipëria dhe i sjell në Kosovë përmes rrugëve ilegale e më pas i shet në qytete të ndryshme të Kosovës.

Tutje sipas Prokurorisë, S.T. prej datës së pacaktuar deri më 3 tetor 2021,  në vend të fshehtë rreth lumit Drini i Bardhë afër Prizrenit, kultivon bimë “kanabis sativa” dhe pas kontrollimit të shtëpisë, në kulm është gjetur se i njëjti posedon substanca psikotrope të dyshuar si i llojit marihuanë me qëllim të shitjes.

Kurse, më 3 tetor 2021, gjatë një bastisje në shtëpinë e të pandehurit i njëjti mban në pronësi dy pushkë gjuetie dhe 15 fishekë të kalibrit 12 mm dhe një pistoletë, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët.

Me rastin e caktimit të paraburgimit Gjykata ka marrë parasysh faktin i pandehuri me qëndrimin e tij në liri mund të fshihet apo të largohet në arrati me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale për shkak të dënimit të lartë për të cilat vepra penale parashihet.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit por ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.