Prizren, komuna organizon teste anti-COVID edhe në sheshin “Shatërvan”

Komuna e Prizrenit ka organizuar testime anti-COVID në sheshin kryesor të qytetit.

Përmes një njoftimi, kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka ka thënë se vetëm sot janë realizuar 370 teste në sheshin “Shatërvan”.

“Sot në sheshin “Shatërvan”, ekipet mobile të shëndetësisë primare të Komunës së Prizrenit kanë realizuar rreth 370 teste të shpejta (rapide) për Covid-19, me qëllim të identifikimit të personave të prekur dhe izolimit të sa më të shpejtë të tyre, në mënyrë që të parandalojmë përhapjen e virusit”, ka shkruar Haskuka në Facebook.

“Përveç QKMF-së dhe QMF-së në Bajram Curr, për shkak të rritjes së numrit të të prekurve nga Covid, javën e kaluar kemi filluar realizimin e këtyre testeve edhe në QMF-të e fashtrave Gjonaj, Reçanë, Korishë, Zhur si dhe në lagjet “Kurillë” dhe “Tusus”, e cila ka mundësuar edhe eliminimin e lëvizjeve të qytetarëve të prekur nga Covid-19”, deklaroi ai.

Ai tha se Komuna që drejton ka bërë më së shumti testime.

“Ekipet mobile për realizimin e testeve rapide do të jenë prezentë edhe gjatë ditës së nesërme në sheshin “Shatërvan”, ndërkaq ne do të jemi gjithmonë në shërbim të qytetarëve, si komunë e cila ka realizuar numrin më të madh të testeve dhe e vetmja që ofron pakon e shërbimeve për Covid-19, ku përfshihen testet rapide, testet serologjike, testet e D-Dimer dhe analizat e tjera të nevojshme”, ka thënë Haskuka.