Foto-ilustrim

Prizren, kërkohet paraburgim për të dyshuarit për kontrabandë me emigrantë

Gjatë së shtunës, Policia e Kosovës ka realizuar një aksion në qytetin e Prizrenit ku janë kryer bastisje në disa lokacione.

Nga aksioni u arrestuan 18 të dyshuar për kontrabandë me mbi 700 migrantë, që nga muaji mars e deri më 30 korrik të këtij viti.

Ndaj të dyshuarve Prokuroria e Prizrenit ka paraqitur kërkesën për paraburgim.

Që nga muaji mars e deri më 30 korrik 2022, dyshohet se mbi 700 emigrantë janë kontrabanduar nga Shqipëria në Kosovë, për të vijuar në shtetet perëndimore.

Nga të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar dëshmitë si 4 armë zjarri, 1 elektroshok, 95 copë fishekë, 3 autobusë, 3 vetura, 2 radiolidhje, 17 telefona celularë,  1,707 euro, 250 dinarë.

KALLXO.com ka siguruar kërkesën për paraburgim në të cilën thuhet se nën dyshimet për kontrabandim me emigrantë janë arrestuar 16 persona. Një person, është arrestuar për pengim të zyrtarëve të Policisë së Kosovës dhe një është arrestuar për armëmbajtje pa leje.

Sipas Prokurorisë, të larcekurit duke bashkëpunuar mes vete, nga Shqipëria në Kosovë kanë futur ilegalisht mbi 700 emigrantë të cilët edhe janë strehuar dhe i është siguruar fjetja dhe ushqimi nga  të dyshuarit F.S., L.S., A.S., B.A., E.A.

Tutje thuhet se shtetasit e huaj-migrantët janë transportuar në Mitrovicë nga të pandehurit përmes veturave personale dhe autobusëve të kompanive të tyre.

“Të pandehurit L.U., Sh.M., U.E., A.K., B.G., dhe F.G., me autobusa dhe apo vetura personale i marrin migrantët i transportojnë afër stacionit të autobusëve në Prizren dhe pastaj përmes linjave të rregullta të kompanive të tyre i transportojnë në Mitrovicë”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë migrantët aty janë pritur nga të dyshuarit F.I., dhe A.I., të cilët përmes auto-taksive  bënin organizimin e transportit deri në kufirin Kosovë-Serbi ku përmes linjës herkurodhore dhe duke ecur në këmbë ilegalisht i fusin në territorin e Serbisë.

Me këtë rast sipas Prokurorisë të dyshuarit kanë përfituar ilegalisht 14 mijë euro.

Në aksionin për kontrabandë me migrantë 18 të dyshuarit që përfunduan në pranga janë: U.E ., A.S., F.G., B.B., Q.S., F.I., E.A., E.B.,  F.S., A.A., A.K.,  L.U., SH.M., B.G., A.I.,  L.S.,  B.A.,  L.Z.