Foto: KALLXO.com

Prizren, kërkohet paraburgim për të dyshuarin që iu konfiskuan mbi 19 kilogramë drogë në shtëpi

Rreth 19.5 kilogramë substancë narkotike e llojit marihuanë janë konfiskuar dje në orët e mesditës në Prizren.

Lidhur me këtë Prokuroria sot ka parashtruar kërkesën për paraburgimit për 39-vjeçarin A.Q.

Përfaqësuesi i Prokurorisë, Genc Nixha, ka arsyetuar se paraburgimi në këtë fazë është masë adekuate.

Sipas tij, me lënie në liri A.Q., mund të ikë, të fshihet, apo mund të ndikojë në dëshmitarë. Prokuroria po ashtu ka cekur se ka vlerësuar të gjitha format e tjera alternative por se asnjë nga masat e tjera nuk janë të mjaftueshme për t’u zbatuar.

Por Sylë Hoxha, avokat i të dyshuarit, paraburgimin e ka konsideruar si masë shumë të ashpër. Ai ka propozuar që ndaj klientit të tij të caktohet arresti shtëpiak.

Këtë propozim e ka mbështetur edhe i dyshuari i cili premtoi se nuk do të largohet nga vendbanimi.

Lidhur me rastin Gjykata do të marrë vendim.

A.Q. dje është arrestuar pasi në shtëpinë e tij Policia i gjeti mbi 19 kg marihuanë.

Një njoftimin e Policisë është thënë se hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetim e Trafikimit me Narkotik-Sektori Qendror, kanë trajtuar një informacion për posedim të lëndëve narkotike nga një i dyshuar.

Gjatë kontrollit të shtëpisë së të dyshuarit në Prizren, Policia ka arritur të gjejë dhe të konfiskojë 19 kg 546 gr substancë, dyshohet të jetë e llojit marihuanë.