Foto: KALLXO.com

Prizren, i akuzuari me probleme shëndetësore, shtyhet gjykimi i inspektorit të ndërtimit

Gjykata e Prizrenit e ka pranuar kërkesën e të akuzuarit për shtyrje të seancës për shkak se nuk ndihej mirë me shëndet.

Inspektori Nexhmedin Musliu po përballet me akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ai po gjykohet se nuk i ka ndërmarrë veprimet kundër mbindërtimit pa leje të bërë nga investitorët.

Gjatë ditës së hënë, Valbonë Morina, avokate e të akuzuarit, ka deklaruar se i mbrojturi i saj ishte duke u mjekuar që nga viti 2014 për çka Gjykatës i bashkëngjiti edhe dokumentet përkatëse.

Lidhur me këtë, avokatja Morina i propozoi Gjykatës që në seancën e radhës të ftohet Naide Morina, specialiste nga Qendra Psikiatrike.

Gjykata aprovoi propozimin e mbrojtëses Valbonë Morina.

Në këto rrethana seanca e sotme u ndërpre dhe ajo e radhës u caktua për më 11 tetor 2022.

Sipas Prokurorisë, Nexhmedin Musliu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Musliu akuzohet se prej 21 nëntorit 2016 e në vazhdim, në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar-inspektor komunal i ndërtimit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në akuzë thuhet se i akuzuari nuk e inspekton dhe nuk ndërmerr veprime kundër mbindërtimit pa leje të bërë nga investitori Mehmet Palushi, i cili duke ndërtuar objektin e tij ka tejkaluar lejen për një etazhitet, leje kjo e lëshuar nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor në Komunën e Prizrenit.

Sipas Prokurorisë, Musliu, duke mos ndërmarrë veprime i ka mundësuar Mehmet Palushit ndërtimin edhe të një kati dhe mospagesën e taksave komunale, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale – keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar nga neni 422, për të cilën vepër penale parashihet dënim prej 6 muaj deri në 5 vite burgim.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.