Kuvendi Komunal i Prizrenit

Prizren, Haskuka në telashe pasi që Kuvendi nuk ia miraton buxhetin

“Buxhet i asfaltit e kubëzave”, “buxhet i fushatës e i partisë”, “buxhet i tenderëve”.

Nën këto akuza dhe arsyetime opozita e Prizrenit nuk e ka votuar buxhetin e Prizrenit në mbledhjen e sotme të asamblesë Komunale.

Vetëm 11 vota pro, 19 kundër dhe dy abstenime, dështoi votimi i buxhetit të Komunës për vitin 2021 në shumën prej 47 milionë Euro.

Në një diskutim të gjatë, partitë opozitare nuk e votuan propozim-buxhetin e prezantuar nga kryetari i Komunës Mytaher Haskuka dhe drejtoresha e financave.

Opozita u ankua se Haskuka dhe drejtoresha e financave nuk i kanë përfshirë në propozim – buxhet kërkesat dhe propozimet e tyre, duke e akuzuar Haskukën për investime në zona të caktuara “me qëllime elektorale”.

Kurse Haskuka u ankua se Komuna e Prizrenit nuk po përfillet nga pushteti lokal respektivisht sipas tij në dy vite 38 kërkesa të Komunës për shpallje të interesit nacional të disa parcelave nuk janë votuar në qeveri, “kurse Bali Muharremaj të Suharekës brena 30 ditëve në qeveri është votuar kërkesa e tyre”, tha Haskuka.

Tashmë kur qeverisja e Prizrenit me kryetarin Mytaher Haaskuka, nuk e kanë shumicën e votave në asamblenë komunale dhe shpresa e vetme e Haskukës për kalimin e buxhetit ishin votat e asamblistëve opozitarë.

Në shkurt të këtij viti, pas përplasjeve ndërmjet partnerëve të koalicionit në Prizren, opozita ia kishte rrëmbyer Haskukës pozitën e kryesuesit të Asamblesë.

Opozita e përbërë nga PDK, LDK, Nisma e AAK kanë shumicën në Kuvendin e Komunës së Prizrenit, votat e të cilëve tashmë janë bërë vendimtare për pothuajse secilin vendim që diskutohet.