Prizren, hapet konkurs për 24 pozita të lira pune për çerdhen e parë publike

Komuna e Prizrenit ka hapur konkursin 24 vende të lira pune për çerdhen e parë publike.

Sipas konkursit, komuna kërkon të punësojë dhjetë edukatore për programin në gjuhën shqipe, dy edukatore për programin në gjuhën turke dhe dy në atë boshnjake, një psikolog, një pedagog, një mjek të përgjithshëm, katër mirëmbajtëse të objektit, një shtëpiak, një kopshtar dhe një ndihmës kuzhiniere.

Në konkurs thuhet se kandidatët që do të aplikojnë për këto pozita duhet të kenë përgatitjen profesionale në baze të udhëzimit të MAShT-it.

Komuna e Prizrenit dje ka njoftuar se ka filluar regjistrimi i fëmijëve në këtë institucion që ndodhet në lagjen “11 Marsi”.

Numri i fëmijëve, të cilët mund të regjistrohen në këtë çerdhe është 160. Nga ky numër, 120 fëmijë në gjuhën shqipe, 20 në gjuhën boshnjake dhe 20 në gjuhën turke.

Qëndrimi i fëmijëve në kopsht është tërë-ditor, ndërsa sipas njoftimit të Komunës së Prizrenit, raporti edukatore – fëmijë është 2 edukatore për 22 fëmijë.

Çmimi për një fëmijë është 80 euro në muaj, ndërsa për dy fëmijë nga e njëjta familje 120 euro në muaj kurse për tre fëmijë nga e njëjta familja çmimi do të jetë 150 euro për muaj.

Në çmim sipas njoftimit të Komunës së Prizrenit janë të përfshirë: kujdesi, edukimi-mësimdhënia, ushqimi, materiali mësimor – didaktik, aktivitetet e shumta muzikore, rekreative, etj.

Fëmijët, të cilët vijnë nga familjet në asistencë sociale, fëmijët me nevoja të veçanta, fëmijët e braktisur dhe pa përkujdesje prindërore, fëmijët që jetojnë me një prind dhe fëmijët e veteranëve të luftës, janë të liruar nga pagesa.

Drejtoria e Arsimit ka njoftuar se regjistrimi i fëmijëve bëhet çdo ditë pune nga ora 10:00 deri në orën 15:00 në objektin e çerdhes në lagjen “11 Marsi”.

Afati i fundit për regjistrim është data 20 gusht 2020 dhe përparësi regjistrimi do të kenë fëmijët e nënave të punësuara.

Çerdhja ka 8 hapësira për fëmijë 1 deri 4 vjeç, ku në secilën hapësirë parashihen të jenë nga 20 fëmijë, dhe ka 2 hapësira për fëmijë nga 0 deri 1 vjeç, apo nga 12 fëmijë në një hapësirë.

Vlera e tërësishme e projektit për ndërtimin e çerdhes ka qenë 487,177 euro, projekt i përbashkët i Komunës së Prizrenit, i përkrahur edhe nga grantet.