Prizren, Gruaja raporton burrin për dhunë seksuale

Një grua ka raportuar në polici se bashkëshorti i saj i dyshuar e ka dhunuar seksualisht.

Rasti ka ndodhur në Prizren më 10 dhjetor, ndërsa i dyshuar është arrestuar me urdhër të prokurorit.

Ligji kundër Dhunës në Familje definon dhunën seksuale tek përkufizimi për dhunën në familje,  si “marrëdhënia seksuale pa pëlqim dhe keqtrajtimi seksual”.

Në periudhën janar-shtator të këtij viti, në Policinë e Kosovës janë raportuar 1 mijë 819 raste të dhunës në familje.

1 mijë e 437 nga raportimet për dhunë kanë qenë për gratë, ndërsa 408 raste të dhunimit ndaj burrave.

“Rastet e dhunës në familje në secilin stacion policor trajtohen nga zyrtarë policorë që kanë kryer trajnime shtesë për raste të tilla, por rastet e tilla gjithashtu trajtohen në bashkëpunim të ngushtë me Qendrat për Punë Sociale, Mbrojtësit e Viktimave dhe natyrisht me organet e drejtësisë. Sidomos, raste kur janë të përfshirë fëmijët si viktimë prania e punëtorit të QPS-së është e domosdoshme”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.