Gjykata Themelore e Prizrenit

Prizren, Gjykata vendosi për djalin që kërcënoi prindërit

Gjykata e Prizrenit ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për të pandehurin A.P., i dyshuar për kanosje ndaj prindërve.

Sipas njoftimit të gGykatës, i dyshuari më 17 mars dyshohet se në shtëpinë e tij fillimisht është fjalosur me prindërit, duke iu kërkuar të holla dhe duke iu bërë presion në vazhdimësi dhe më pas i ka kanosur me fjalët: “Unë po dal në qytet, kur të kthehem nëse iu gjej në banesë do t’ju vras”, dhe në vazhdimësi i njëjti shkakton ankth, frikë dhe pasiguri tek të dëmtuarit.

Me këtë veprim A.P. dyshohet se ka kryer veprën penale – kanosje.

Në njoftimin e Gjykatës po ashtu thuhet se nga shkresat e lëndës vërtetohet se i pandehuri është recidivist i veprave penale të kësaj natyre, pasi që më herët është shpallur fajtor për veprën penale të dhunës në familje.

Andaj, të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji, pasi Gjykata ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet duke e pasur parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat si dhe faktin që i pandehuri ka kryer këto veprime duke qenë nën ndikimin e substancave narkotike.