Foto: KALLXO.com

Prizren, Gjykata e shpall fajtor për drogë, e dënon me burg dhe gjobë

Gjykata e Prizrenit më 12.11.2024 ka shpallur verdiktin në rastin e të pandehurit Jeton Kastrati, i cili akuzohet nga Prokuroria për veprën penale të posedimit dhe shitblerjes së narkotikëve.

Kastratit Gjykata i shqiptoi dënim me burgim në kohëzgjatje prej shtatë muajve dhe gjobë në shumën 400 euro.

Në dënimin me burg të pandehurit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi, e mori këtë vendim pasi që në seancën e sotme i pandehuri Jeton Kastrati e pranoi fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.

Ndaj të pandehurit Jeton Kastrati aktakuza u ngrit më 24.10.2024.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se i pandehuri më 04.07.2024, rreth orës 21:35, në Prizren, pa autorizim, posedon me qëllim të shitjes apo shpërndarjes substanca apo preparate, të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë në atë mënyrë që prapa një pompe të derivateve, haset në flagrancë nga zyrtarët policorë.

Sipas aktakuzës, i pandehuri tentoi që të hidhte nga pantallonat e tij pesë foli alumini të mbushura me substancë narkotike të llojit marihuanë në peshë të përgjithshme (neto) prej 4.58 gramë. Të njëjtat i sekuestrohen nga Policia.

Gjithnjë sipas aktakuzës, gjatë kontrollit fizik në rrobat e të njëjtit gjithashtu i është sekuestruar edhe një mulli për bluarjen e substancës narkotike të marihuanës, një pako me letra mbështjellëse për përdorimin e substancës narkotike dhe një shumë parash në shumën prej  katërqind e shtatëdhjetë e tetë euro, të cilat para janë dobi pasurore e përfituar me kryerjen e veprës penale.

Në aktakuzë përshkruhet se më këto veprime pretendohet ta ketë kryer veprën penale – posedimi dhe shitblerja e narkotikëve.