Prizren: Fillon regjistrimi i fëmijëve në çerdhen e parë publike në këtë Komunë

Komuna e Prizren, e cila është komuna e dytë më e madhe në Kosovë për nga numri i banorëve, për herë të parë është bërë me çerdhe publike.

Nga sot ka filluar edhe regjistrimi i fëmijëve në çerdhen e parë publike që ndodhet në lagjen “11 Marsi”.

Numri i fëmijëve, të cilët mund të regjistrohen në këtë çerdhe është 160. Nga ky numër, 120 fëmijë në gjuhën shqipe, 20 në gjuhën boshnjake dhe 20 në gjuhën turke.

Qëndrimi i fëmijëve në kopsht është tërë-ditor, ndërsa sipas njoftimit të Komunës së Prizrenit, raporti edukatore – fëmijë është 2 edukatore për 22 fëmijë.

Çmimi për një fëmijë është 80 euro në muaj, ndërsa për dy fëmijë nga e njëjta familje 120 euro në muaj kurse për tre fëmijë nga e njëjta familja çmimi do të jetë 150 euro për muaj.

Në çmim sipas njoftimit të Komunës së Prizrenit janë të përfshirë: kujdesi, edukimi-mësimdhënia, ushqimi, materiali mësimor – didaktik, aktivitetet e shumta muzikore, rekreative, etj.

Fëmijët, të cilët vijnë nga familjet në asistencë sociale, fëmijët me nevoja të veçanta, fëmijët e braktisur dhe pa përkujdesje prindërore, fëmijët që jetojnë me një prind dhe fëmijët e veteranëve të luftës, janë të liruar nga pagesa.

Drejtoria e Arsimit ka njoftuar se regjistrimi i fëmijëve bëhet çdo ditë pune nga ora 10:00 deri në orën 15:00 në objektin e çerdhes në lagjen “11 Marsi”.

Afati i fundit për regjistrim është data 20 gusht 2020 dhe përparësi regjistrimi do të kenë fëmijët e nënave të punësuara.

Çerdhja ka 8 hapësira për fëmijë 1 deri 4 vjeç, ku në secilën hapësirë parashihen të jenë nga 20 fëmijë, dhe ka 2 hapësira për fëmijë nga 0 deri 1 vjeç, apo nga 12 fëmijë në një hapësirë.

Vlera e tërësishme e projektit për ndërtimin e çerdhes ka qenë 487,177 euro, projekt i përbashkët i Komunës së Prizrenit, i përkrahur edhe nga grantet.

Informacione për kushtet për regjistrim si dhe dokumentacionin e nevojshëm mund t’i gjeni në këtë LINK.