Prizreni. Foto: KALLXO.com
Prizren, fillojnë dëgjimet publike për buxhetin 50-milionësh
Komuna e Prizrenit, nesër duke filluar nga ora 10 do të mbajë një dëgjim publik për buxhetin e vitit të ardhshëm që pritet të jetë rreth 50 milionë euro.
Këto dëgjime publike janë duke u mbajtur nëpër lokacione të ndryshme që nga data 19 gusht.
Gjonaj, Zhur, Reçan dhe Korishë kanë qenë vendbanimet ku Kryetari i Komunës Mytaher Haskuka me disa nga drejtorët e tij kanë mbajtur këto dëgjime publike.
Nesër me fillim nga ora 10:00 në sallën e Kuvendit Komunal të Prizrenit aty ku mbahen mbledhjet e asamblesë komunale, do të mbahet debati përfundimtar dhe përmbledhës.
Banorët e Prizrenit mund t’i parashtrojnë kërkesat e tyre dhe të kontribuojnë në procesin e hartimit të buxhetit.
Komuna e Prizrenit për vitin 2020 do të ketë buxhet prej 50,901,457€, prej së cilës 43,341,162€ janë nga granti qeveritar dhe 7,560,295€ të tjera nga të hyrat vetanake.
Në krahasim me vitin 2019, për vitin 2020 Komuna e Prizrenit do të ketë 7.32% rritje të buxhetit të përgjithshëm, duke përfshirë rritje prej 13.1% në kategorinë e pagave, 8.48% në kategorinë mallra dhe shërbime, si dhe 50% në kategorinë e subvencioneve.
Komuna ka ftuar të gjithë qytetarët, përfaqësuesit e lagjeve, bashkësive lokale dhe përfaqësuesit e OJQ-ve që të jenë prezentë në këto dëgjime dhe të japin kontributin e tyre në hartimin e buxhetit për vitin 2020.