Foto: Ilustrim

Prizren, e rrahën dhe e lanë të shtrirë në rrugë, paraburgim për 2 të dyshuarit

Gjykata e Prizrenit  ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 26 mars ndaj të pandehurve D.R. dhe E.R., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale – lëndim i rëndë trupor.

Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.

Në njoftimin e Gjykatës thuhet se të pandehurit në bashkëkryerje më 24 mars, në orët e vona të natës, në Prizren, i shkaktojnë lëndime të rënda trupore të dëmtuarit.

Rasti kishte ndodhur pasi që të pandehurit dhe i dëmtuari kishin qenë në një kafiteri, ku kishin konsumuar alkool, dhe nga i dëmtuari ishin fyer e share.

Në momentin kur i dëmtuari kishte dalë nga kafiteria, të pandehurit i ishin vënë pas duke e ndjekur me automjetin e tyre dhe e shfrytëzojnë momentin e duhur kur në rrugë nuk ishte askush përveç të dëmtuarit, ashtu që në anën e majtë të rrugës e ndalin automjetin, që të dy dalin nga automjeti, shkojnë në drejtim të të dëmtuarit në anën e kundërt të rrugës, i afrohen të dëmtuarit, të cilin me grushte fillimisht e godet në pjesën e fytyrës i pandehuri D.R., nga e cila goditje i dëmtuari bie në tokë.

Më pas, dy të pandehurit e godasin me shqelma në pjesën e kokës, e lënë të shtrirë në tokë dhe largohen nga aty, ndërsa i dëmtuari haset i shtrirë nga një kalimtar rasti i cili përmes telefonit e njofton Emergjencën.

Gjykata vlerëson se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, duke pasur parasysh faktin se të pandehurit veprën penale dyshohet se e kanë kryer më 24 mars, ndërsa më pas kanë ikur nga vendi i ngjarjes, dhe pas veprimeve operative e hetimore të organeve të ndjekjes ata janë identifikuar dhe arrestuar më datë 26 mars, gjë që shton dyshimin e bazuar që nëse të njëjtëve nuk u caktohet paraburgimi, ata mund të arratisen dhe të jenë të pakapshëm për organet e drejtësisë në faza tjera të procedurës penale.

Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit ndaj të pandehurve është masë konkrete, duke marrë parasysh edhe karakteristikat personale të të pandehurve dhe sjelljen e mëparshme të tyre, duke u bazuar në informacionin nga evidenca për të kaluarën kriminale, rezulton se të pandehurit e lartcekur janë recidivistë, kryerës të mëhershëm të veprave penale të natyrës së njëjtë, por edhe të natyrave tjera.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, por ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.