Prizren, dy të arrestuar për shpërndarje të monedhave 2-euroshe false

Policia në Prizren ka arrestuar sot dy persona të dyshuar për shpërndarje të parave të falsifikuara.

Sipas Policisë, në rrugën magjistrale Prizren-Vërmicë janë ndaluar dy automjete, me të cilat dyshohej se po bëhej shpërndarja e parave të falsifikuara.

Pas kontrollit të automjeteve të tyre janë gjetur mbi 1,700 euro që dyshohet të jenë të falsifikuara.

Në automjetin e parë janë gjetur 850 monedha 2-euroshe, gjithsej 1,700 euro.

Ndërsa ne automjetin e dytë janë gjetur 2 monedha 2-euroshe, një kallëp metalik rrethor i zbrazët i monedhës metalike dy euro (shabllon), pesë copa të vogla metalike rrethore të monedhës dyeuroshe (shabllone) dhe katër telefona mobilë.

Me urdhër të prokurorit janë kontrolluar dy shtëpi, pronë e të dyshuarve B.D. dhe T.K., ka njoftuar Policia.

Ndërsa thuhet se të dyshuarit me aktvendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë.