Ilustrim

Prizren, Drejtori i Shëndetësisë thotë se janë të pajisur me të gjitha masat mbrojtëse

Qendrat e mjekësisë familjare në Prizren, sipas Drejtorit të Shëndetësisë, Visar Shehu, janë të pajisura me të gjitha mjetet e nevojshme për t’u përballur me pandeminë coronavirus.

Shehu tha për KALLXO.com se të gjitha qendrat e mjekësisë familjare janë të pajisura me masa mbrojtëse, dhe në të gjitha qendrat janë dërguar dezinfektues shtesë për pacientë dhe nëpër korridoret e qendrave të mjekësisë familjare janë vendosur për pacientë dezinfektues për duar.

Ndërsa sa i përket ekipeve urgjente që janë të parët që përballen me rastet e dyshuara për coronavirus, Drejtori Shehu tha se i kanë veshmbathjet adekuate, rreth 100 copë i ka siguruar Drejtoria e Shëndetësisë ndërsa 90 copë i kanë dërguar nga Ministria e Shëndetësisë.

“Edhe pse këto materiale janë shpenzuese dhe me rastin e përdorimit duhet të asgjësohen, ne nesër presim sipas informatave nga Ministria e Shëndetësisë të vjen furnizimi i radhës dhe do të furnizohemi me materiale tjera”, sqaroi Visar Shehu.

Ndërsa sa i përket maskave mbrojtëse rreth 5 mijë të tilla arrijnë sot në Prizren, e nga kjo sasi rreth 3 mijë maska do të jenë për nevojat e Drejtorisë së Shëndetësisë respektivisht për stafin mjekësor, 1 mijë maska do të jenë për administratën komunale, dhe 1 mijë maska do t’i jepen Policisë së Kosovës në Prizren dhe ndërmarrjeve tjera publike në Prizren siç janë Eko Regjioni dhe ndërmarrje tjera.

Për momentin në Komunën e Prizrenit nuk ka asnjë rast të konfirmuar me coronavirus, ndërsa një rast i dyshuar që ishte testuar dje kishte rezultuar negativ.

“Ne kemi marrë të gjitha masat e nevojshme, jo vetëm nga dje por sot bëhen 1 muaj e 5 ditë që kur ekipet tona mjekësore janë në teren, dhe në vazhdimësi ka pasur kontrolle të personave të ardhur nga vendet me rrezik të lartë” tha Shehu.

Drejtori Shehu ka ftuar qytetarët që ti respektojnë vendime te organeve qendrore dhe udhëzimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Në më pak se katër ditë numri i të prekurve nga virusi në Kosovë  ka arritur në 13 zonat e prekura janë Vitia me 7 pacientë Malisheva me 4 pacientë, Podujeva me 1 pacient dhe Klina me 1 pacient.

Edhe 4 të prekur nga Coronavirus arrin në 13 numri i pacientëve

Kallxo.com ka raportuar se të shtunën në Prizren është arrestuar një person pasi ka shpërndarë një video propaganduese me qëllim të përhapjes së panikut tek qytetarët pas situatës së krijuar nga coronavirusi.

Konfirmimi për coronavirus, familje në Klinë vendosen në karantinë