Prizren, djali e godet fizikisht nënën e tij

Në dy ditët e fundit janë raportuar gjashtë raste të dhunës në familje në Kosovë. Sipas Policisë së Kosovës, pesë nga viktimat e dhunës në familje kanë qenë gra.

Njëri prej rasteve ka ndodhur më 12 korrik në Podujevë ku një burrë është arrestuar dhe më pas është dërguar në mbajtje nën dyshimin se ai ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes dhe vajzës së tij.

Policia ka njoftuar se viktimave u është ofruar tretman mjekësorë.

Në po këtë datë, dy raste të tjera të dhunës në familje kanë ndodhur në Istog ku një burrë është arrestuar pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes së tij si dhe e ka larguar atë nga shtëpia, dhe një tjetër rast në Ferizaj ku është arrestuar një burrë pasi i njëjti ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes së tij.

Policia ka njoftuar se në të dy rastet, me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Ndërkaq, më 13 korrik një burrë në Prizren është arrestuar pasi  kishte sulmuar fizikisht duke e goditur fizikisht nënën e tij.

Sipas Policisë, viktimës i është ofruar tretman mjekësorë dhe i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Po ashtu, me 13 korrik është arrestuar një burrë i cili në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes së tij.

“Viktima është dërguar në shtëpi të sigurt.  Lidhur me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që i dyshuari pas intervistimit të lirohet dhe rasti të procedohet në procedurë të rregullt”, është bërë e ditur në raportin e Policisë.

Rasti ka ndodhur në Malishevë rreth orës 12:15.

Një tjetër arrestim ka ndodhur ndaj një gruaje në Gjakovë e cila dyshohet se kishte keqtrajtuar bashkëshortin e saj.

Policia ka njoftuar se Lidhur me këtë rast është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që e dyshuara pas intervistimit të lirohet dhe rasti të procedohet në procedurë të rregullt.