Foto: KALLXO.com

Prizren, dëshmitari tregon detaje si u ther për vdekje me thikë shoku i tij

M.H. ka dëshmuar sot në Gjykatën e Prizrenit për momentin e therjes vdekjeprurëse me thikë të shokut të tij, Mendim Kurtishaj.

Për vrasjen e 23-vjeçarit, që ka ndodhur më 1 maj 2020, në Prizren, po gjykohen vëllezërit Orhan dhe Albert Ademaj.

Dëshmia e M.H. është dhënë në një seancë ku ka pasur forca të shtuara të gardianëve dhe të Policisë.

Dëshmitari tha se ka qenë tërë kohën me shokun e tij në ditën kritike.

Ai tha se atë ditë dikush i ka ndjekur nga pas vazhdimisht me veturë.

“Derisa kemi qenë në skuter nga prapa me “Golf 3” i ka rënë dikush sirenës. Kur u ktheva e pashë Orhanin dhe Albertin. Unë mendova që po dojnë me bisedu dhe u ndala, por kur u hap dera e makinës pash që Orhani në dorë kishte diçka që i vizllonte dhe u largova menjëherë në drejtim të lagjes ‘Arbana’” – deklaroi dëshmitari.

Ai më pas ka përshkruar edhe momentin se si kishte ndodhur vrasja.

M.H. tregoi se viktima ishte qëlluar me thikë në zemër.

“Duke ikur kam hyrë në një rrugicë e cila ishte pa kthim. Mendimi ka zbritur prej skuterit kurse mua më ka goditur makina ashtu që kam ra në shkurre-ferra. Në atë moment e kam dëgju Mendimin derisa thoshte: “Mos ma fut se ma ke futë në zemër”. Ka qëndruar në këmbë kurse unë kam bërtit: “Çka i keni bo djalit?”. Por ata u larguan menjëherë” – tha dëshmitari.

M.H. shtoi se pas kësaj kishte ardhur ambulanca dhe pasi kanë arritur në Spital mjeku i ka thënë se shoku të ka vdekur.

Dëshmitari tutje sqaroi se në ditën kritike, thikën të cilën e kishte parë tk viktima e kishte marrë në xhep dhe e ka dërguar në stacion policor. Për këtë kishte dhënë deklaratë në Polici.

I njëjti para trupit gjykues pohoi se para rastit tragjik bashkë me të ndjerin dhe dy persona të tjerë kishin konsumuar substanca narkotike.

“Është e vërtetë, jemi takuar te “Pishat”, kemi konsumu narkotik të llojit marihuanë” – tha M.H.

Dëshmia e dëshmitarit M.H. është bërë nën përcjelljen e ekspertit – mjekut Bujar Obertinca. Kjo pasi që M.H. është duke u trajtuar në Institutin e Psikiatrisë Forenzike.

Eksperti Obertinca konsideroi se deklaratat e dhëna në Polici, Prokurori dhe sot para Gjykatës janë kompatibile me përgjigjet që u morën nga dëshmitari.

Në fund u aprovua edhe propozimi i Blerim Mazrekut, avokat i Orhan Ademajt, që të ftohet si dëshmitar zyrtari policor të cilit dëshmitari ia kishte dorëzuar thikën.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua për më 4 tetor.

Sipas Prokurorisë, Orhan Ademaj dhe Albert Ademaj, akuzohen se më 1 maj 2020, në Prizren, në rrugën “Ismail Kryeziu” tek i ashtuquajturi “Transiti i ri”, në bashkëkryerje me dashje nga motivi i hakmarrjes, privojnë nga jeta tani të ndjerin Mendim Kurtishaj.

Në akuzë thuhet se dy të akuzuarit me veturën e tyre të cilën ishte duke e drejtuar Albert Ademaj e ndjekin të ndjerin Mendim Kurtishaj, i cili ishte në motoçikletë së bashku me dëshmitarin M.H.

Tutje sqarohet se kur arrijnë te “Transiti i ri” në Prizren, rrugë e cila nuk ka dalje e që vërehet nga kamerat e sigurisë, Orhan Ademaj pasi del nga automjeti i afrohet të ndjerit Mendim Kurtishaj dhe në konflikt me viktimën e godet me thikë në pjesën ballore të gjoksit.

Pas kësaj me të shpejtë kthehet në automjet dhe largohen nga vendi i ngjarjes.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më pas vjen autoambulanca – emergjenca në vendin e ngjarjes dhe viktima është dërguar në Spitalin Rajonal në Prizren, me ç’rast është vërtetuar se i njëjti në emergjencë ka arritur pa shenja jete.

Me këto veprime Orhan dhe Albert Ademaj nga Prokuroria akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale vrasja e rëndë.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.