Prizren, dënohet me burg personi që fotografoi votën në zgjedhjet e 6 tetorit

Dënim me burg në kohëzgjatje prej 3 muajsh i ka shqiptuar Gjykata e Prizrenit të akuzuarit Abaz Mazrek nga Mamusha.

Mirëpo ky dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës kohore prej 1 viti.

I akuzuari Abaz Mazrek u dënua sepse më 6 tetor, gjatë ditës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në shkollën “Anadolu” në Mamushë pasi që kishte votuar, fletëvotimin e kishte fotografuar përmes telefonit, dhe pastaj të njëjtën foto e ka publikuar në rrjetet sociale.

Pos dënimit me kusht, gjyqtarja Ajser Skenderi  ka vendosur që të njëjtit t’i konfiskohet telefoni celular “Samsung Galaxy J3”, me të cilin është kryer kjo vepër penale.

Ndërsa, i pandehuri Abaz Mazrek është liruar nga pagesa e shpenzimeve procedurale, për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike,  sepse i njëjti ishte invalid dhe i papunë  dhe se pagesa e këtyre shpenzimeve do të rrezikonte gjendjen materiale të të pandehurit, ka arsyetuar vendimin e saj gjyqtarja e rastit Ajser Skenderi.

I akuzuari Abaz Mazrek ka pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën Gjykata e dënoi, duke thënë se në momentin e fotografimit të votës komisionarët dhe vëzhguesit që kanë qenë prezentë në vendvotim nuk i kanë tërhequr vërejtjen se fotografimi i votës është i kundërligjshëm.

Abaz Mazrek ka deklaruar para Gjykatës se i  vjen keq  për veprën e kryer dhe se pendohet, duke thënë se nuk ka pasur dijeni se veprimi i tillë është i ndaluar.

I akuzuari i ka kërkuar Gjykatës që kur të caktonte dënimin t’i kishte parasysh këto fakte.