Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Prizren, arrestohet qytetari që dyshohet se mashtroi dhe u prezantua rrejshëm si zyrtar i Kuvendit të Kosovës

Një person është arrestuar në Prizren nën dyshimin se ka mashtruar një qytetar duke ia marrë 2,650 euro dhe duke u paraqitur si zyrtar i Kuvendit të Kosovës.

Policia e ka ndaluar në mbajtje për 48 orë më aktvendim të prokurorit të shtetit të dyshuarin G.K.

Sipas Policisë, hetuesit rajonalë kanë ndaluar të dyshimtin, i lindur në vitin 1990, i cili ishte prezantuar rrejshëm si person zyrtar që punon në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe duke mashtruar i kishte thënë dëshmitarit së i njëjti njihet me persona zyrtarë të drejtësisë në Prishtinë dhe në Prizren.

“Pas një deklarate të marrë nga një dëshmitar i cili për një çështje penale kishte paguar të holla një personi të dyshuar në vlerë rreth 2650 euro, më vonë i njëjti e kishte kuptuar se ishte mashtruar dhe rastin e kishte paraqitur në policinë rajonale në Prizren. Me rastin po merren hetimet rajonale të Policisë në Prizren. Policia Rajonale apelon te secili qytetar që të jetë i kujdesshëm dhe nëse janë dëshmitarë apo viktimave të mashtrimit të lajmërohen te organet e rendit”, thuhet në raportin e Policisë.