Foto: Ilustrim

Prizren, arrestohet për lëshim të testeve të falsifikuara anti - COVID-19

Një person nga Prizreni ka përfunduar në pranga të enjten.

Siç njoftoi Policia, i njëjti dyshohet se lëshoi teste të falsifikuara për COVID-19.

Hetimet, siç njoftojnë forcat e rendit, u bënë në koordinim me inspektorët e Shëndetësisë.

“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, konkretisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Prizren, pas pranimit të një informate nga Stacioni Policor në Prizren, për dyshime se në një laborator biokimik në Prizren po lëshohen Teste të falsifikuara, ka filluar me veprime hetimore në koordinim me Inspektorët e Ministrisë së Shëndetësisë”, thuhet në njoftim.

Policia tha se dyshimet e para janë që janë lëshuar dy teste, një pozitv dhe tjetri negativ.

“Gjatë inspektimit të bërë me datë 14.10.2021 në Laboratorin biokimik në fjalë, janë siguruar dëshmi se Laboratori ka lëshuar dy teste (njërin pozitiv e tjetrin negativ) në ditën e njëjtë me datë 06.10.2021, teste Rapid Antigjen SARS-COV-2,  të  cilat teste dyshohet të jenë të falsifikuara”, thuhet tutje në njoftim.

Më këto veprime i dyshuari dyshohet se ka kryer veprën penale – falsifikim i dokumentit.

Forcat e rendit kanë sekuestruar edhe disa provova nga vendi i ngjarjes.

“Një laptop, regjistri i pacienteve, një test/Analiza Anti-SARS-CoV- 2 NEGATIV, një test/Analiza Anti-SARS-CoV- 2 POZITIV”, njofton Policia.

Policia po vazhdon të hetojë rastin ndërsa me urdhër të prokurorit personi është ndaluar për 48 orë.