Ilustrim
Prizren, arrestohet një i dyshuar, mbante në xhep granatë dore
Një person është arrestuar në Prizren më 04.12.2024 nën dyshimin se në xhepin e xhaketës mbante një granatë dore.
Policia ka arritur ta sigurojë mjetin e dyshuar.
Lajmin për KALLXO.com e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë në Prizren, Shaqir Bytyqi.
Sipas tij, 22-vjeçari i dyshuar po qëndronte në një restorant në qendër të Prizrenit.
“Me datën 04.12.2024 rreth orës 15:35 kemi marrë informatën nga qendra komunikuese se një i dyshuar (mashkull /shqiptar 22-vjeçar) ndodhet në një restorant në qendër në Prizren dhe në xhepin e xhaketës mban një mjet të dyshuar, që dyshohet të jetë granatë dore. Patrulla policore menjëherë iu ka përgjigjur rastit dhe ka arritur ta arrestojë të dyshuarin dhe mjetin e dyshuar ta sigurojë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet përkatëse policore të cilat i kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme”- ka njoftuar ai.
Sipas Bytyqit, lidhur me rastin janë informuar hetuesit rajonalë si dhe prokurori kujdestar, me urdhër të të cilit iniciohet rasti, gjithashtu është informuar edhe Forca e Sigurisë së Kosovës.