Ilustrim.

Prizren, arrestohet nën dyshimin se ngacmoi një vajzë të mitur përmes rrjeteve sociale

Policia e Kosovës dje ka arrestuar një burrë i cili dyshohet që përmes rrjeteve sociale ka ngacmuar një vajzë të mitur.

Sipas Policisë, rasti ka ndodhur dje rreth orës 15:25 në Prizren.

Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Në 24 orët e fundit në Kosovë janë regjistruar tri raste të ngacmimit.

Javën e kaluar një person i moshës mbi 30-vjeçare nga një fshat i Istogut është arrestuar me dyshimet se ka ngacmuar seksualisht një vajzë, mosha e të cilës është 9-vjeçare.

KALLXO.com mëson se ngacmimi kishte ndodhur në rrjetin social ‘Instagram’ dhe viktima ishte ngacmuar gjatë orëve të natës.

Në një intervistë për KALLXO.com, babai i vajzës së mitur tregon se si e kishte raportuar rastin në polici.

Ai bëri të ditur se në telefonin e vajzës kishte parë fjalë denigruese.

Më 27 gusht 2022, në një park të kryeqytetit, një vajzë e re 11-vjeçare dyshohet se përderisa ishte duke ecur ishte ndaluar e pastaj dhunuar seksualisht brenda një intervali prej 7 orëve nga disa persona.

Lidhur me rastin janë arrestuar dhe dërguar në paraburgim 5 persona.

Ndërsa, gjashtë persona tjerë kanë përfunduar në pranga me 2 shtator. Ata po dyshohen për dhunim dhe trafikim të 11-vjeçares gjatë muajit qershor të këtij viti.

Pas këtij rasti, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka treguar se prindi i një 14-vjeçareje është ankuar në Ministri se ndaj vajzës së tij ka pasur tentim dhunim dhe personi i dyshuar vazhdon të jetë i lirë.

Haxhiu ka thënë se njoftimin e ka bërë me leje të prindit të vajzës.

“Sot, prindi i një vajze 14 vjeçare, erdhi në Ministrinë e Drejtësisë, na njoftoi që në dhjetor të vitit 2021, ka pasur tentim dhunim të vajzës së tij 14 vjeçare. Ndonëse emri dhe mbiemri i personit të dyshuar dihet, i njëjti nuk është dënuar dhe as nuk është në burg. Personi i dyshuar është i lirë”, ka shkruar ministrja në Facebook.