Prizren, Aktakuzë për dhënie ryshfeti ndaj një shtetasi të Shqipërisë
Prokuroria e Prizrenit ka ngrituar aktakuzë për veprën penale dhënie ryshfeti, ndaj personit me inicialet A. B., nga Republika e Shqipërisë, i cili gjendet në paraburgim nga data 10.12.2021.
Sipas aktakuzës, më 9 dhjetor 2021 A. B. dyshohet se në pikën kufitare të Vermicës ka ofruar të holla një personi zyrtar.
Aktakuza thotë se këto të hollat i ka ofruar atëherë kur zyrtari policor e ka ndalur veturën “Audi A4” me targa të Republikës së Shqipërisë të cilën e voziste i pandehuri me dy pasagjerë tjerë dhe në momentin kur ofrohet për kontroll duke ditur se nuk ka ka certifikatë të vaksinimit e as test PCR për COVID-19, në lejen e qarkullimit të automjetit i vendos tri kartëmonedha prej gjithsej tridhjetë euro, të cilat ia jep zyrtarit policor.
“Në momentin kur zyrtari policor i vëren paratë dhe e pyet se për çfarë janë këto para, i pandehuri përgjigjet se paratë i ka lënë për të, për respekt ndaj tij, dhe se nuk kanë certifikatë vaksinimi e as test PCR për Covid-19, nëse ka mundësi që t`u lejohet hyrja në Kosovë”, thuhet në aktakuzë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, Prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri A. B. për veprën penale për të cilën akuzohet, të shpallet fajtorë dhe të dënohet sipas ligjit.