Prizren, aktakuzë ndaj dy mjekëve, pretendohet se mjekja nga sektori privat u fut në Spitalin publik dhe asistoi në një lindje
Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj F.S. dhe T.D. për veprat penale – përdorim i paautorizuar i pasurisë, dhe – ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike.
Sipas Prokurorisë, F.S. më 15.12.2023 rreth orës 22:30 pa autorizim ka përdorur pasurinë e luajtshme e cila i ishte besuar atij në detyrë apo në të cilën ka pasur qasje për shkak të shërbimit dhe në repartin e Gjinekologjisë në Spitalin e Prizrenit ka pranuar për lindje një paciente shtatzënë, e cila ishte në përcjellje të gjinekologes private T.D. e cila nuk ishte dashur të hynte në sallën e lindjes dhe të kryente lindjen.
Sipas Prokurorisë, F.S. nuk ka ndërmarrë veprimet zyrtare të cilat ka pasur për detyrë t’i ndërmarrë me qëllim që ta parandalonte hyrjen e mjekes private në sallën e lindjes në Spitalin e Prizrenit.
Me këto veprime i pandehuri F.S. ka kryer veprën penale – përdorimi i paautorizuar i pasurisë.
“Sipas aktakuzës, i pandehuri F.S., me datë 15.12.2023 në Prizren, rreth orës 22.30 min, pa autorizim përdorë pasurinë tjetër të luajtshme e cila i është besuar atij në detyrë apo në të cilat ka qasje për shkak të shërbimit apo punës së tij apo i jep pasurinë e tillë në shfrytëzim personit tjetër për shfrytëzim të paautorizuar, ashtu që duke punuar në cilësinë e mjekut Gjinekolog në repartin e Gjinekologjisë-Obstetrike në Spitalin e Prizrenit, ka pranuar për lindje pacienten-shtatzënë A.R., nga fshati Mushnikovë, e cila ka qenë në përcjellje të gjinekologes private T.D., edhe pse ishte mjek kujdestar në detyrë së bashku me mjekun tjetër M.B., nuk ndërmerr veprime zyrtare të cilat ka pasur për detyrë t’i ndërmarrë në parandalimin e mjekes T.D., që të hyjë në sallën e lindjes dhe ta kryejë lindjen. Me këto veprime, ka kryer veprën penale “Përdorimi i paautorizuar i pasurisë”sipas KPRK.”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Ndërsa mjekja private T.D. në po të njëjtën ditë, në Spitalin e Prizrenit pa pasur autorizime ligjore ka kryer trajtime mjekësore duke mos qenë nëpunëse e këtij institucioni pas ekzaminimit të gruas shtatzënë me autoambulancën e saj private ka konstatuar se rasti është për lindje ashtu që e shoqëron pacienten në fjalë deri në Spitalin e Prizrenit.
Në Spital e njëjta nuk ndalet nga mjeku F.S. por has në mjekun tjetër kujdestar M.B., i cili reagon për mos ta lënë të akuzuarën të futet në sallën e lindjes.
Me këtë veprim e akuzuara T.D. ka kryer veprën penale – ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore.
“Ndërsa, e pandehura T.D., me datë 15.12.2023 në Prizren rreth orës 22:00 min, në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit, Prim. ‘’Daut Mustafa’’ pa pasur autorizimet ligjore kryen trajtime mjekësore – gjinekologjike duke mos qenë nëpunëse/mjeke pranë Spitalit të Prizrenit, me ç’rast pas ekzaminimit të pacientes A.R., në ambulancën e saj private, ka konstatuar se rasti është për lindje, ashtu që e shoqëron pacienten në fjalë deri në repartin e Gjinekologjisë Obstetrike në spitalin e Prizrenit, dhe pa lejen e mjekëve kujdestar F.S., dhe M.B., pas pranimit në repart duke mos lejuar mjekun F.S., që të bëjë ekzaminimin e pacientes, si dhe përkundër reagimit të mjekut tjetër kujdestar M.B., ka shkuar drejt në sallën e lindjes dhe ka kryer lindjen e pacientes. Me këto veprime, e njëjta ka kryer veprën penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” sipas KPRK”- thotë njoftimi i Prokurorisë.