Foto: Ilustrim
Prizren, aktakuzë kundër tetë personave për falsifikim të diplomave shkollore
Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë kundër tetë personave për falsifikim të diplomave të shkollave të mesme.
Prokuroria me këtë vepër akuzon personat me iniciale M.H., D.G., A.R., M.B., D.M., E.Xh., F.Xh dhe B.A.
Sipas prokurorisë të akuzuarit M.H., D.G., A.R., M.B., D.M., dhe E.Xh., bashkërisht që nga fillimi i vitit 2018, e deri më datë 09.10.2019, në Prizren, Prishtinë, Obiliq dhe Mitrovicë, kanë përpiluar diploma false të shkollave të mesme për qytetarë nga Kosova dhe Shqipëria, në kundërvlerë të pagesave prej 1,300 deri në 2000 euro për diplomë.
Sipas akuzës së prokurorisë secili nga të pandehurit e ka kryer rolin e tij për pajisjen e personave me diploma false.
Sipas dosjes së Prokurorisë personat të cilët ishin të interesuar të pajiseshin me diploma false shkollore fillimisht duhet të merreshin vesh me të pandehurit M.H dhe D.G, të cilët më pas këto kërkesa i përcjellin tek i pandehuri A.R, e i cili në fund kërkesat i dërgonte tek te pandehurit M.B, D.M, dhe E.XH, të cilët ishin personat që në fund i falsifikonin dokumentet në fjalë.
Deri tek kapja e këtij grupi në aktakuzë thuhet se ka ardhur pas aplikimit të masave të fshehta hetimore. Për zbatimin e këtyre masave ishin caktuar disa zyrtarë policor të cilët ishin paraqitur si persona të interesuar për tu pajisur me diploma shkollore.
Një zyrtar policor i kamufluar si blerës i interesuar kishte aplikuar tek ky grup që të merrte një diplomë të shkollës së mesme teknike “Hasan Tahsini”, në Obiliq, ku për marrjen e saj ishin pajtuar që të paguajnë 1300 euro.
Në momentin kur zyrtari policor kishte marrë diplomën e falsifikuar dhe kishte paguar për të, dy të pandehurit M.H dhe A.R ishin arrestuar.
M.H dhe A.R, akuzohen edhe për një tjetër ndërmjetësim të falsifikimit të një diplome. Kësaj radhe diplomës për kryerjen e veprimtarisë së pavarur zejtare për instalime të rrymës.
Ata akuzohen se pasi ishin marrë vesh me një zyrtar policor i cili ishte kamufluar si blerës, kërkesën e tij për diplomë e kishin bartur tek e pandehura F.XH, e cila më pas tek i pandehuri B.A i cili në fund e kishte falsifikuar dokumentin në fjalë.
Aksioni i gjerë policor në kapjen e këtij grupi të akuzuar për falsifikimin e diplomave të shkollave të mesme ishte shfaqur në emisionin “Drejtësia në Kosovë”
Pamjet e këtij aksioni policor mund t’i ndiqni në linkun më poshtë: