Prizren: 30 ditë paraburgim për të miturit e dyshuar për detyrim e armëmbajtje pa leje

Gjykata e Prizrenit ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për dy të mitur, të cilët dyshohet se kanë kryer veprat penale detyrim dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Sipas komunikatës, Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të miturve G.K., dhe H.B. ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.

“Të miturit  G.K., dhe H.B., në bashkë kryerje, nën përdorim të forcës me mjete të rrezikshëm- thikë si dhe një qen të racës ‘’PitBull’’ i kanë detyruar dy të dëmtuar, që të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre duke i ‘u marrë me forcë një shumë të të hollave”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, gjyqtarja e procedurës ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit.

“Duke pasur parasysh peshën e rëndë të veprës penale, si dhe faktik se procedura penale është në fazën përgatitore në këtë çështje do të ndërmerren veprime të tjera hetimore për sqarimin e rrethanave të këtij rasti në lidhje me të miturit, duhet të merret deklarimi  i të miturve dhe të dëmtuarve edhe para Prokurorisë”, thuhet tutje aty.

Tutje në njoftim thuhet se për caktimin e kësaj mase është marrë parasysh sjellja e mëhershme e dy të miturve..

“Gjykata ka marrë parasysh faktin sjelljen e mëparshme të të miturve të cilët janë të regjistruar edhe si kryerës të veprave tjera penale, andaj këto rrethana tregojnë rrezikun se nëse të miturit lihen në liri do të përsërisin ndonjë vepër tjetër penale të kësaj natyre si dhe do të kishte edhe ndikim negativ në opinion shoqëror dhe në rrethin ku jetojnë të miturit”, thuhet tutje aty.