Foto: KALLXO.com Ilustrim

Prizren, 3 të arrestuar për narkotikë dhe armëmbajtje pa leje

Policia e Kosovës ka njoftuar se Njësia e antidrogës në Prizren ka arrestuar tre persona nën dyshimin për narkotikë dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas një komunikate të Policisë, Njësia e antidrogës në Prizren gjatë ditës së djeshme rreth orës 18:10 ka ndaluar një automjet Golf 4, në të cilin ndodheshin 3 personat e dyshuar.

Gjatë kontrollit të kësaj makine janë gjetur dhe njëkohësisht sekuestruar substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë 7.19 gramë, një thikë, një pako me rizlla dhe 3 telefona celularë.

Sipas Policisë, personat e dyshuar janë arrestuar dhe shoqëruar në ambientet policore për procedura të mëtejme ligjore.

Gjithashtu, pas urdhërit të prokurorit kompetent dhe pëlqimit të gjyqtarit të procedurës paraprake, njësitë policore kanë zhvilluar kontroll në shtëpinë e të dyshuarit me iniciale F.A. dhe është gjetur tjetër substancë narkotike e llojit marihuanë me peshë 8,49 gramë, një pistoletë e tipit M 57 7.6mm, me një karikator dhe tre fishekë, një pistoletë me gaz, tre fishekë, një thikë, një shufër gome, një qese najloni, një pako me rizlla dhe një boks metali.

“Personat e dyshuar janë intervistuar në lidhje me rastin në prezencë të avokatit mbrojtës dhe në konsultim me prokurorin kompetent, njëri nga të dyshuarit (F.A) dërgohet në ndalim policor për 48 orë, ndërsa dy të dyshuarit tjerë lirohen në procedurë të rregullt”, thuhet në fund të komunikatës së Policisë.