"PriVocalFest", festivali që i bashkohet fushatës ndërgjegjësuese për kancerin e gjirit
Edicioni i 7-të i festivalit “Prishtina International Vocal Festival” (PriVocalFest), nis sot, më 14. 10. 2024.
Festivali hapet me koncertin recital të sopranos Adelina Paloja, “Eternal Echoes” në ora 19:00, në amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë.
Me këtë koncert, “PriVocalFest” i bashkohet fushatës për sensibilizimin për kancerin e gjirit dhe ndërgjegjësimin për sëmundjen.
Sipas organizatorëve të këtij festivali, përveç sopranos Paloja, në edicionin e sivjetmë të “PriVocalFest” do të performojnë artistë nga skena ndërkombëtare, si: Albane Carrère, mexosoprano (Francë), Zoe Hippius, kompozitore, soprano (Sllovaki), maestro Raúl Giménez (Argjentinë- Spanjë), kori “ProArs” dhe dirigjenti Sasho Tatarchevski nga Maqedonia e Veriut. Por edhe ata vendorë: Ismet Vejseli, Elonë Sadiku, Dea Xhemaili, etj. si dhe zërat nga gjenerata e re, pjesëmarrësit nga masterklasa e këndimit.
Edicioni i 7-të i festivalit “Prishtina International Vocal Festival” zgjat deri më 20 tetor 2024 në Prishtinë.