Pritjet e Vetëvendosjes dhe LDK-së nga zgjedhjet e reja

Partitë politike si rëndom para zgjedhjeve shfaqin parashikime optimiste.

Dy partitë më të mëdha në zgjedhjet e kaluara Vetëvendosje dhe LDK-ja besojnë se do të dalin fituese, por kësaj radhe hedhin poshtë mundësinë për koalicion.

Lëvizja Vetvëndosje është e bindur se do të dal e para në zgjedhjet e parakohshme.

Anëtari i këshillit të përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Mytaher Haskuka thotë se vetëm me programin e tyre do të sigurohet një qeveri legjitime dhe demokratike.

“Qëllimi ynë është që të jemi me aq numra që të mos ketë nevojë për koalicion, edhe Kosovës në këtë kohë pandemie dhe krize ekonomike i duhet një qeveri që duhet të vendos pa kalukime politike”, thotë Haskuka.

Ndërsa në Lidhjen Demokratike të Kosovës, besojnë se do t’i ruajnë votat e zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit të kaluar.

Arban Abrashi nga kjo parti tregon se pritjet e tyre janë pozitive për një rezultat fitues në zgjedhjet e parakohshme, dhe se këtë e bazojnë në qeverisjen e mirë të kryeministrit të tanishëm Avdullah Hoti, por të njëjtit nuk garantojnë se Hotin do ta kenë mandatar për kryeministër.

“Nuk e kemi diskutuar, Hoti po bën një punë të mirë, e ka marr qeverisjen në një gjendjen mjaft të vështirë, pritshmëritë tona do të jenë shumë pozitive, besojë se do t’i ruajmë dhe do t’i rrisim votat të cilat i kemi pasur”, thotë Abrashi.

Zgjedhjet e parakohshme në vendin tonë pritet që të mbahen në fund të janarit apo në fillim shkurtit të vitit 2021. /21Media