Pritja në takim e Xhabir Zharkut nga kryetari i Hanit të Elezit, flasin nga PDK-ja

Nga Kryesia e Partisë Demokratike e Kosovës (PDK) janë deklaruar në lidhje me pritjen në takim të të akuzuarit për keqpërdorim detyre, Xhabir Zharku, nga ana e kryetarit të ri të Hanit të Elezit nga PDK-ja, Mehmet Ballazhi.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë për KALLXO.com se Ballazhi duhet të takohet me të gjithë qytetarët.

“Z. Ballazhi është kryetar i zgjedhur dhe ai duhet të takohet me të gjithë, edhe me ata që janë në PDK, edhe me ata që s’janë, edhe me ata që e kanë mbështetur, edhe me ata që nuk e kanë mbështetur. Do të thotë, ai duhet të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Hanit të Elezit”, ka theksuar ajo.

Çitaku ka shtuar se PDK-ja ka kritere sa u përket emërimeve në pozita ekzekutive.

“Ndërkohë që Partia Demokratike e Kosovës e ka bërë të qartë që çdo emërim në poste ekzekutive nëpër komuna duhet të përmbajë disa kritere si të themi minimale ato janë: pajtueshmëria e plotë me rend dhe ligj, duhet të jenë persona profesionalë me integritet dhe që nuk kanë asnjë lloj aktakuze nga institucionet e Kosovës”, ka shtuar Çitaku për KALLXO.com.

Nënkryetarja e PDK-së është pyetur edhe për zgjedhjen e kryesuesit të Asamblesë së Hanit të Elezit, Florim Shkreta, i cili në vitin 2014  ishte dënuar me gjashtë muaj burg, për shkak të veprës penale – mashtrim në votime.

Florim Shkreta në vitin 2017 pati kandiduar nga radhët e PDK për kryetar të Hanit të Elezit.

Për këtë rast, nënkryetarja e PDK-së tha se nuk ka shumë informacione.

“Unë nuk i kam të gjitha detajet, do të doja që të di më shumë sepse nuk kam qenë në Kosovë në atë periudhë. Megjithatë PDK e ka bërë të qartë që pastërtia para rendit dhe ligjit duhet të jetë parakusht për përfaqësim në institucione qofshin ato komunale, qofshin ato qendrore”, tha ajo për KALLXO.com.

Ndërkaq, nënkryetari tjetër i PDK-së, Ramë Buja, kur u pyet për takimin Ballazhi-Zharku, tha se përderisa nuk ka informacion zyrtar nga kryetari i Komunës së Hanit të Elezit nuk mund të flasë për këtë çështje.

“Unë para se me marrë informacion zyrtar prej kryetarit, zyrtar dhe legjitim të Hanit të Elezit tanimë, unë nuk di çka të komentoj sepse unë në fakt asnjë informacion për këtë nuk e kam. Kështu që kërkoj falje por pa e marr informacionin se kë e ka prit dhe si e ka prit unë nuk mund të them diçka. Unë që nesër mund të komunikoj me kryetarin e Hanit të Elezit dhe pastaj mund të ju them diçka”, tha Buja për KALLXO.com.

KALLXO.com ka raportuar se kryetari i ri Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, sot ka pritur në takim ish-gjeneralin e Ushtrisë shqiptare, Kudusi Lame, ndërsa në të njëjtin takim është parë edhe ish-kryetari i Komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku.

Në njoftim të Komunës së Hanit të Elezit thuhet ky takim ishte një vizitë urimi për marrjen e postit të ri të Ballazhit në krye të Komunës.

“Vizita e Gjeneral Kudusi Lamës ishte vizitë urimi për Kryetarin Mehmet Ballazhi me rastin e marrjes së detyrës kryetar i Komunës së Hanit të Elezit”, thuhet në njoftimin e Komunës. Për këtë takim ka folur edhe vetë Ballazhi.

“Z.Zharku ka qenë në cilësinë e shokëve, shokëve të luftës. E di që është duke u përballur me sistemin e drejtësisë. Nuk kam pasur ndonjë kërkesë vetëm e kam pa që erdh në mëngjes, sot e kam pasur edhe mbledhjen e inaugurimit e kështu…”, tha Ballazhi për KALLXO.com.

Mehmet Ballazhi nga PDK-ja është zgjedhur kryetar i Hanit të Elezit në rundin e parë të zgjedhjeve të sivjetme lokale të 17 tetorit. Ai ka marrë 51,33% të votave kundrejt kundërkandidatit të tij Rufki Suma, i cili mori 42,21% të votave.

Në anën tjetër, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, gjatë kohës sa kishte shërbyer si ministër i Drejtësisë në Qeverinë Haradinaj, e kishte quajtur Xhabir Zharkun “turpi i Kosovës”. Madje, as nuk ia kishte përmendur emrin.

KALLXO.com ka tentuar ta kontaktojë Tahirin për ta pyetur nëse ende e ka qëndrimin e njëjtë për Zharkun, por i njëjti ka qenë i paqasshëm përmes telefonit.

Xhabir Xharku është i akuzuar nga Prokuroria e Ferizajt për dy vepra penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Sipas Prokurorisë, Xhabir Zharku në tetor të vitit 2008 dhe shkurt të vitit 2010 në Kaçanik, si person zyrtar, përkatësisht kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore dhe shkaktimit të dëmit të Komunës së Kaçanikut, ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare, në atë mënyrë që ka lejuar ndërtimin e një objektit për banim kolektiv dhe lokale afariste e cila ka qenë pronë e komunës dhe të njëjtën ia ka dhënë në shfrytëzim të përhershëm kompanisë “Çlirimtari”.

Tutje ai akuzohet për shkak se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare në atë mënyrë që pas përfundimit të një çështjeje gjyqësore në Gjykatën e Kaçanikut kishte urdhëruar avokaten e Komunës që mos të parashtrojë ankesë ndaj vendimit të Gjykatës, duke i mundësuar përfitim pasuror në atë kohë paditësit – kompanisë “Bardhi”.

Xhabir Zharku ishte liruar nga paraburgimi me anë të dorëzanisë në qershor të vitit të kaluar. Ai kishte deponuar në atë kohë një shumë prej 100 mijë eurove dhe pasaportën e Suedisë dhe më pas ishte liruar nga paraburgimi.

Ai ishte arrestuar në dhjetor të vitit 2019, në Aeroportin e Prishtinës teksa po tentonte të ikte nga Kosova.

Në vitin 2012, KALLXO.com pati raportuar se Zharku kishte vendosur të mos respektojë vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës që e obligonte atë të shkojë tri vjet në burg.

Zharku ishte dënuar për detyrim dhe posedim të paligjshëm të armës. Dënimi me burg prej tri vitesh atij i ishte vërtetuar edhe nga Gjykata Supreme.

Ai nuk e kishte mbajtur asnjë ditë burg në lidhje me veprat që i ngarkoheshin ndërsa në maj të vitit 2018 Gjykata e Ferizajt kishte vendosur që të ndalë ekzekutimin e dënimit me burgim ndaj ish-kryetarit të Kaçanikut, Xhabir Zharku, për shkak të parashkrimit absolut të ekzekutimit të dënimit.

 

Rrugëtimi drejt lirisë i Xhabir Zharkut