QKMF në Ferizaj - Foto: Facebook/KomunaeFerizajt

Pritja e mysafirëve, Drejtoria e Shëndetësisë në Ferizaj harxhoi në një takim rreth 300 euro

Shqiptarët shquhen për mikpritjen e mysafirëve, për këtë u përkujdes edhe Drejtoria e Shëndetësisë në Ferizaj, e cila më 11.01.2019 ka harxhuar 294 euro në një takim me mysafirët.

Në faturën e siguruar nga KALLXO.com nuk jepen shumë detaje se çka është servuar në atë takim, por aty thuhet “Pije dhe ushqim për mysafirë” dhe vlera e saj kap shifrën 294 euro, madje nuk tregohet se kush ka qenë mysafir në këtë takim.

Mysafirët u pritën në një restorant në Ferizaj.

Drekat dhe Darkat e Komunës së Ferizajt 2019/2020
Fatura: Komuna e Ferizajt

Ndërsa në një takim tjetër më 02.04.2019 e njëjta drejtori kishte harxhuar 50 euro për lëngje, ujë dhe për ushqim.

Drekat dhe Darkat e Komunës së Ferizajt 2019/2020
Fatura: Komuna e Ferizajt

Mishi i kombinuar e sallata, pjesë e tavolinës në takimet tjera të Drejtorisë së Shëndetësisë në Ferizaj

Në ditën e nëntë të muajit janar 2020 Drejtoria e Shëndetësisë kishte një takim.

Në këtë takim kjo drejtori ka harxhuar 78 euro për mish të kombinuar, 26 euro për sallatë, që i bie 104 euro janë harxhuar vetëm për këto dy servime, ndërsa për pije kjo drejtori pagoi 33 euro.
Në total janë harxhuar 137 euro në një takim për të cilin nuk janë dhënë detaje se për çka janë takuar.

Takimet e kësaj drejtorie vazhduan edhe në muajin shkurt të atij viti.

Drekat dhe Darkat e Komunës së Ferizajt 2019/2020
Fatura: Komuna e Ferizajt

Më 18 shkurt 2020 në këtë takim të pranishmit prapë ishin shërbyer me mish të kombinuar dhe sallatë. Vetëm mishi i kombinuar arriti koston deri në 102 euro përderisa sallata kushtoi 34 euro.

Sipas faturave, në këtë takim janë harxhuar në total, këtu duke përfshirë edhe pijet, 176 euro.

Drekat dhe Darkat e Komunës së Ferizajt 2019/2020
Fatura: Komuna e Ferizajt

Në verën e 2020-tës, kjo drejtori harxhoi 100 euro në një takim, as në këtë takim nuk harruan të porositin mish të kombinuar dhe sallatë, për të cilat komuna e Ferizajt pagoi 80 euro, ndërsa 20 euro u harxhuan për pije.

Drekat dhe Darkat e Komunës së Ferizajt 2019/2020
Fatura: Komuna e Ferizajt

KALLXO.com ka raportuar edhe për shpenzimet në dreka dhe darka gjatë vitit 2019/ 2020 të Drejtorisë së Arsimit në këtë komunë.