Takimi i minstres se Kultures Vlora Dumoshi me ambasadorin e Italisë Nicola Orlando, Fotografi: MKRS

Pritet të nënshkruhet marrëveshje kulturore Kosovë – Itali

Një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e kulturës pritet të nënshkruhet mes Kosovës dhe Italisë.

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka pritur në takim ambasadorin e Italisë në Kosovë, Nicola Orlando, me të cilin bisedoi në lidhje me këtë marrëveshje në të cilën mund të hyjnë çështje që rrisin bashkëpunimin me arbëreshët e Italisë.

“Me konkretizimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes i hapet rrugë një bashkëpunimi konkret dhe thellimit të raporteve mes dy vendeve. Aty mund të hyjnë çështje konkrete si një kalendar i përbashkët kulturor Kosovë-Itali, ku do të mund të përfshiheshin edhe arbëreshët në këtë bashkëpunim”, tha  Dumoshi.

Orlando miratoi se  pajtohet që marrëveshja për bashkëpunim në fushën e kulturës mes Kosovës e Italisë duhet të nënshkruhet sa më parë dhe se ai po mban kontakte me Romën zyrtare që kjo gjë të konkretizohet.

Ambasadori Orlando konfirmoi se bashkëpunimi mund të konkretizohet përmes ekspertëve dhe konsulentëve, përmes komunikimeve, video-konferencave dhe vizitave të ndryshme studimore.