Reçak - memorial complex

Pritet të hartohet Raport për gjendjen e tanishme të Memorialit "Masakra e Reçakut"

Pas rreth tre jave nga data e përkujtimit të Masakrës së Reçakut, në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes, saktësisht më 03.02.2025, Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës [AMKMK] ka hapur tender për këtë Kompleks.

Qëllimi i këtij aktiviteti të prokurimit është të hartohet Raport për gjendjen ekzistuese të Memorialit “Masakra e Reçakut”.

Për këtë tender, Agjencia ka përdorur procedurën e hapur të prokurimit me kriter për dhënie të Kontratës – çmimi më i ulët.

Nëpërmjet vlerës së parashikuar të Kontratës – 100,000 euro – siç njofton AMKMK parashihet të kryhen punë në disa lokacione.

“Fshati Reçak, Varrezat e Dëshmorëve, Xhamia e Fshatit – Kroi i Xhemë Osmanit, Shtëpia e Sadik Osmanit me ndërtesat përcjellëse që kanë qenë pjesë e ngjarjes së 15 janarit, Kodra e Bebushit ku ka ndodhur Masakra, Shkolla fillore, shtëpi të shumta banimi, infrastrukturën, lumin Carralevë, burimin e ujit Vrella, si dhe peisazhin e fshatit në tërësi.” – njofton AMKMK.

Tutje, thuhet se Projekti i gjendjes ekzistuese duhet të dalë si rezultat i hulumtimit dhe incizimit në terren. Gjendja ekzistuese duhet t’i përfshijë të gjitha aspektet dhe elementet natyrore dhe të ndërtuara të fshatit Reçak: peisazhin, klimën, rrjetin e instalimeve, rrjetin e infrastrukturës sociale dhe teknike etj.

Fushëveprimin i Kontratës përfshin analizimin dhe prezantimin e gjendjes ekzistuese (prezantimi tekstual dhe grafik, si dhe në GSI) për hidrologjinë, klimatologjinë, vegjetacionin, morfologjinë e terrenit, gjeologjinë dhe sizmiken, ekologjinë, historikun e fshatit të Raçakut, trashëgiminë kulturore, turizmin, komunikacionin, rrjetin e kanalizimit dhe ujësjellësit, rrjetin elektrik, menaxhimin e mbeturinave, shtatoret dhe memorialet ekzistuese, foto dhe incizime me dron.

Më datë 15.01.2025, në fshatin Reçak të Shtimes u përkujtua Masakra e kryer nga forcat serbe më 15.01.1999. U bën homazhe te Memoriali në Reçak dhe u mbajt Akademi përkujtimore.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Akademinë përkujtimore tha se kjo Masakër është përkujtim i forcës dhe qëndrueshmërisë së popullit të Kosovës.

“Na kujton forcën dhe qëndrueshmërinë e popullit tonë, për t’u ringritur dhe për të triumfuar.” – deklaroi presidentja Osmani.

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së, William Walker, i cili mori pjesë në homazhe dhe në Akademi përkujtimore – tha se për Masakrën mori vesh në mëngjesin e 16.01.1999.

“Ishte e qartë që ajo që kisha parë atë mëngjes, që 45 civilë të pafajshëm ishin qëlluar me armë dhe i kishin larguar nga fshati, burra dhe djem nën përcjelljen e Policisë së Serbisë dhe Ushtrisë së Serbisë dhe u kthyen ditën tjetër të masakruar. Kam një ndjenjë që herën e ardhshme që do të më shihni në Reçak mund të jem në arkivol dhe do isha krenar të varrosem këtu në fshatin Reçak.” – deklaroi Walker.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se dhimbja vazhdon të jetë prezente dhe se ata që kryen vrasjet nuk janë dënuar.

Në homazhet në Reçak morën pjesë edhe udhëheqës të partive politike.

Kujtojmë se 25 vjet më parë Reçakun e zbardhi dita të rrethuar me forcat policore dhe ushtarake serbe, të cilët vranë 45 civilë shqiptarë.

Masakra e 15 janarit 1999, ndër më të rëndat të mbajtura mend e të dokumentuara, ndryshoi përgjithmonë historinë e Kosovës.

Masakra e Reçakut ka qenë shkas për të filluar bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë dhe Serbi.

Atëkohë, shefi i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, William Walker dokumentoi krimet e kryera në këtë fshat.

Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998/99 janë vrarë mbi 13 mijë civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur. Mbi 1 mijë e 600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Për më shumë artikuj, rreth masakrës së Reçakut, klikoni këtu.