Shtëpia e Bardhë - Foto: REL/Wikipedia Commons

Pritet marrëveshje “e rëndësishme” ekonomike në Uashington

Gazeta beogradase “Danas” raporton se delegacioni i Serbisë i kryesuar nga presidenti Aleksandar Vuçiq udhëton sot për në Uashington për t’u takuar në Shtëpinë e Bardhë me përfaqësuesit e Kosovës në takimin e thirrur nga Richard Grenell, emisar special amerikan për dialogun Kosovë – Serbi.

Delegacioni i Kosovës tashmë ka shkuar në Uashington dhe do të jetë në numër më të madh se ai i Serbisë.

Megjithatë, “Danas” raporton se Vuçiq, në deklaratat e tij të fundit ka thënë se Beogradi do të jetë “i përgatitur dhjetë herë më mirë se Prishtina” dhe se do të jetë i përgatitur për të gjitha opsionet.

“Çkado që të flitet dhe mendohet, ne do të jemi të përgatitur për të gjitha opsionet. E dijmë çdo fshat dhe çdo marrëveshje, për dallim nga ata që vijnë e që nuk e dijnë se cilat marrëveshje i kemi nënshkruar. Por asnjëherë nuk i nënvlerësoj”, është shprehur Vuçiq.

Ai ka thënë se beson që mund të arrihen marrëveshje “të rëndësishme” në këto takime.