Pritet emërimi i një zyrtari të posaçëm për hetimet ndaj Trumpit

Një gjyqtare federale është pajtuar për të emëruar një zyrtar të posaçëm për të analizuar dokumentet e konfiskuara nga Byroja Federale e Hetimeve (FBI) përgjatë kërkimeve të pashembullta në pronën e ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Në vendimin e saj, gjyqtarja amerikane, Aileen Cannon nga Florida, ka thënë se zyrtari i veçantë do të angazhohet për rishikim të dokumenteve, dhe ka kërkuar që Departamenti i Drejtësisë të pezullojë për pak kohë hetimet penale.

Megjithatë, ajo ka thënë se do t’i lejojë zyrtarët amerikanë të inteligjencës që të vazhdojnë të analizojnë kategorinë e dokumenteve, si dhe dëmin që mund t’i jetë shkaktuar sigurisë kombëtare.

“Përveç privimit nga dokumentet personale, potencialisht të rëndësishme, gjë që shkakton dëm, paditësi përballet edhe me një dëm të mundshëm për shkak të zbulimit të pahijshëm të informacionit të ndjeshëm për publikun”, ka shkruar Cannon, të cilën e ka emëruar Trump më 2020, vetëm pak muaj para përfundimit të mandatit presidencial.

Cannon i ka kërkuar ekipit ligjor të Trumpit dhe Departamentit të Drejtësisë që deri të premten të dërgojnë propozimet për kandidatin e përshtatshëm për këtë pozitë.

Trump, pa ofruar të dhëna, ka akuzuar Departamentin e Drejtësisë për nisje të hetimeve të njëanshme ndaj tij, dhe avokatët e tij kanë thënë se është shumë e rëndësishme që të emërohet një person i pavarur në këtë rast.

Trump është nën hetime për largim të shumë dokumenteve qeveritare – disa të klasifikuara si tejet të ndjeshme – nga Shtëpia e Bardhë, pasi ka përfunduar mandatin në janar të vitit 2021.

Departamenti amerikan i Drejtësisë, ka thënë se është duke hetuar mundësinë e pengimit, pasi FBI ka gjetur të dhëna se ekipi i Trumpit mund të ketë tentuar që të fshehë dokumente të klasfikuara.

Përfaqësuesit e Trumpit kanë pretenduar rrejshëm se kanë kthyer të gjitha materialet e klasifikuara në Qeveri, pasi FBI ka konfiskuar 33 kuti me më shumë se 11.000 dokumentet qeveritare – në mesin e tyre më shumë se 100 të klasifikuara.

Emërimi i një zyrtari të posaçëm bëhet për raste të ndjeshme.

Një zyrtar i tillë është emëruar edhe në rastet kur janë bastisur shtëpitë dhe zyrat e dy ish-avokatëve të Trumpit – Rudy Giuliani and Michael Cohen./REL