Priten drunjtë në Parkun e Qytetit, Komuna e Prizrenit thotë se po i largon për shkak të rrezikshmërisë (FOTO)

Komuna e Prizrenit është duke prerë disa drunj në Parkun e Qytetit dhe sipas tyre kjo po ndodh për shkak të rrezikshmërisë që ata paraqesin për qytetarët.

Sipas fotografive që kanë ardhur në adresë të KALLXO.com, sasia e drurëve që po largohet nga ky park është e madhe.

KALLXO.com ka kontaktuar ne Drejtorinë e Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit të cilët kanë thënë se këta drunj janë duke u larguar për shkak të rrezikshmërisë që ata paraqesin për qytetarët që e frekuentojnë këtë park.

“Drunjtë kanë qenë të vjetër, të kalbur e që këta faktor kanë ndikuar që ata të devijojnë, e që kemi pasur raste që disa nga këta drurë nga erërat të thyhen dhe bien për tokë”, thuhet në përgjigjen e komunës.

Po ashtu, KALLXO.com ka kërkuar nga komuna informacione rreth sasisë së prerë të drurëve dhe arsyen se si do të përdorët drurët e prerë.

Në përgjigjen e komunës thuhet se ende nuk dihet sasia totale për shkak ky proces është duke vazhduar, ndërsa rreth mundësisë së përdorimit të këtyre drurëve, komuna ka deklaruar se do të formohet një komision, i cili do të vendosë së ku do të destinohen.

“Për sasinë e drurëve të prerë nuk kemi ende të dhëna pasi që procesi po vazhdon, po ashtu për atë se si do të përdoren drunjtë e prerë do të formohet një komision i cili do të bëjë matjen e masës drunore, ku pastaj organet vendimmarrëse do të vendosin se si do të bëhet përdoren ato”, thuhet më tej në përgjigje.