Foto: Kallxo.com

Prishtinën e 'mbulon' bërlloku, 'Pastrimi' nuk do mbledh mbeturinat pa zhbllokim të xhirollogarive (FOTO)

Kompania Rajonale ‘Pastrimi’ ka deklaruar se prej ditës së mërkurë nuk do mbledh mbeturinat nëpër komunat që ka shtrirje si ndërmarrje. Shkak për këtë u bë bllokimi i xhirollogarive bankare nga Kompania për Menaxhimin e Deponive të Kosovës (KMDK).

Njoftimi është bërë i ditur nga KRM “Pastrimi” përmes një postimi në Facebook më datë 8 shkurt.

“Kompania “Pastrimi”, Sh.A-Prishtinë njofton qytetarët se nga dita e nesërme me dt. 09.02.2022 kompania nuk do të ketë mundësi të bëjë grumbullimin dhe largimin e mbeturinave për arsye te bllokimit te xhirollogarive bankare nga Kompania për Menaxhimin e Deponive te Kosovës, prandaj duhet të bëjmë ndërprerjen e shërbimit te mbeturinave”, u tha në njoftim.

Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes ‘Pastrimi’, Burim Kelmendi në një prononcim të shkurt për KALLXO.com tha se shkak konsiderohet borxhi që kanë si ndërmarrje.

“Nga KMDK na është thënë se shkak për bllokim të xhirollogarive është borxhi që ka ndërmarrja. Ne nuk do grumbullojmë mbeturinat pa u arritur një marrëveshje”, tha Kelmendi.

Sipas tij, mbeturinat për herë të fundit janë mbledhur mbrëmë, kurse nga sot nuk kryhet ky shërbim.

Ai nuk dha shifër të saktë të borxhit që ka ndërmarrja, derisa deri tani është takuar vetëm me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama.

“Nga shtatë komuna sa i kemi në mirëmbajtje, dje kemi pasur një takim me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama gjatë ditës së djeshme, presim të kemi edhe me kryetarët tjerë”, shtoi tutje Kelmendi.

Kompania Rajonale ‘Pastrimi’ ushtron aktivitetin e saj  në Rajonin e Prishtinës ku përfshihen komunat: Prishtinë, Fushë Kosovë, Obiliq, Lipjan, Podujevë, Drenas dhe Graçanicë.

Kallxo.com ka kërkuar sqarim edhe nga Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK) lidhur me borxhet e ndërmarrjes ‘Pastrimi’ dhe hapat që do marrin me tutje, por deri në momentin e publikimit nuk është dhënë ndonjë përgjigje.

https://kallxo.com/lajm/vonesat-ne-paga-punetoret-e-krm-uniteti-paralajmerojne-nderprerje-te-punes/
.