Prishtinë: Zhduket mistershëm 15 vjeçarja nga Austria

Një vajzë 15 vjeçare është raportuar e zhdukur nga familja e saj ditën e parë të vitit të ri, përderisa sipas deklaratave të familjarëve, e mitura dyshohet se është larguar me një person me të cilin thuhet se është në lidhje.

Me 1 janar rreth orës 17:00 në stacionin policor jugu në Prishtinë, nëna e së miturës ka raportuar se vajza e saj, para se të nis udhëtimin me autobus për në Austri është zhdukur, apo kidnapuar në Prishtinë.

Në raportin e Policisë së Kosovës, të siguruar nga KALLXO.com, thuhet se gruaja ka raportuar se vajza e saj kishte kërkuar leje të shkonte në tualet në objektin e Stacionit të Autobusëve në Prishtinë, por e njëjta nuk është kthyer më te autobusi.

Sipas raportit, nënës së 15 vjeçares, kalimtarët e rastit i kanë thënë se vajza e saj është larguar me një djalë dhe se siç citohen të ketë thënë ata, nuk është raportuar për dhunë ndaj saj apo dyshime të tjera se është kidnapuar.

Ndër të tjerash në polici ka raportuar edhe motra e së miturës e cila ka deklaruar se kjo e fundit ka qenë në lidhje me një person nga komuna e Obiliqit dhe se ka qëndruar me të që nga data 21 dhjetor 2019 kur edhe kishte ardhur në Prishtinë për pushime.

Policia tutje thekson se është duke u marrë me procedurat e mëtejme të rastit.