Autobusët e rinj të Trafikut Urban të Prishtinës - Foto: Facebook

Prishtinë, Trafiku Urban synon shtimin e flotës por është ende në kredi për autobusët e mëhershëm

Ndërmarrja publike komunale ‘Trafiku Urban’ është në bisedime me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), për të blerë edhe 30 autobusë të tjerë.

Kështu është thënë në shpalosjen e raportit vjetor për këtë ndërmarrje në kuvendin e komunës.

Derisa, kjo ndërmarrje synon të bëjë këtë blerje me anë të kredisë, ku komuna është garantuese për të, Trafiku Urban është ende duke paguar kredi për 51 autobusët e sjellur para 4 viteve.

Trafiku Urban në vitin 2016 kishte marr kredi në vlerë prej 10 milionë euro nga BERZh për blerjen e 51 autobusëve ku garantues për këtë kredi ishte komuna e Prishtinës.

Kanë mbetur edhe tetë vite për t’u paguar kjo kredi.

Blerja e këtyre autobusëve në këtë periudhë mund të mos shihet si hap i duhur, duke marr parasysh humbjet e kësaj ndërmarrje në kohë të pandemisë.

Në raportin e fundit vjetor të kësaj ndërmarrje thuhet se komuna ka paguar 4.2 milionë euro për këtë ndërmarrje, pra komuna paguan për çdo kilometër të kaluar pa marr parasysh sa ka profit nga ato linja.

Por, kur është bërë marrëveshja me BERZh në hartimin e planit të mobilitetit ka qenë kriter që qyteti të ketë 160 autobusë, prej tyre 80 në menaxhim të ndërmarrjes dhe 80 tjerë nga operatorë privatë.

Synimi për blerjen e 30 autobusëve të tjerë është vazhdim i planit të mobilitetit.

Në raportin e fundit të Zyrës Kombëtare të Auditorit për këtë ndërmarrje janë gjetur shkelje në menaxhim të kontratës ku thuhet se Menaxherët e kontratave nuk kishin arritur të sigurojnë dëshmi të mjaftueshme për të hyrat mujore të realizuara nga shërbimet e transportit publik për të mbështetur kompensimin e pjesës së mbetur apo obligimin mujor të Komunës ndaj kontraktuesit. Kontraktuesi kishte dorëzuar një raport përshkrues rreth kilometrave të kaluara dhe të hyrave mujore të arkëtuar por pa ndonjë dokument që vërteton/dëshmon të hyrat mujore (Raport fiskal apo deklaratë mujore të raportimit në ATK).

Kjo sipas ZKA-së ka ardhur si pasojë e mos kontrollit të duhur të kontratave.

Kurse, Lulzim Rexhepaj, kryeshef ekzekutiv i ndërmarrjes ‘Trafiku Urban’ ka thënë se këstet janë duke u paguar sipas kohës së caktuar, duke shtuar se kanë edhe borxhe të trashëguara.

“Trafiku Urban menaxhohet mirë me punë ekipore të organizuar mirë nga Kryeshefi Ekzekutiv dhe përkushtimin e menaxhmentit të lartë. Këstet e kredisë ndaj BERZH janë duke u paguar rregullisht nga Trafiku Urban sipas afateve të përcaktuara me marrëveshje, ku pagesa vjetore është mbi 1.1 milion euro. Gjithashtu jemi duke paguar borxhe të trashëguara ndaj punëtorëve (paga të papaguara), furnitorëve dhe ATK-së dhe nëse e shikoni raportin vjetor, para 3 viteve i patëm 1.7 milion euro borxhe, ndërsa në vitin 2020 e mbyllem me borxh të mbetur rreth 700 mijë euro, borxhe të cilat mendojmë t’i shlyejmë deri në fund të këtij viti – nëse nuk do të kemi ndërprerje të punës për shkaqe të pandemisë”, ka thënë Rexhepaj.

Lidhur me të gjeturat në raportin e Auditorit, Rexhepaj ka thënë se nuk ka informata dhe se i përket komunës me të cilën kanë kontratë ta komentojë atë.

Ai shtoi se nga ana e ndërmarrjes gjithçka është e dokumentuar.

“Lidhur me raportin e auditimit nga ZKA ndaj Komunës së Prishtinës ne nuk kemi informata dhe nuk na takon të komentojmë meqë nuk është për ne, por deklarojmë se jemi në dispozicion për të dhënë sqarime në çdo kohë që kërkohen nga Menaxheri i Kontratës nga Komuna e Prishtinës. Nga ana jonë është çdo gjë e dokumentuar. Trafiku Urban e faturon Komunën e Prishtinës me datën 05 të çdo muaji vijues për kilometrat e realizuara (me të gjitha dëshmitë e nevojshme të cilat analizohen nga Menaxheri i Kontratës), kurse deklarimet në ATK bëhen më vonë, deri me datën 20 të muajit vijues. Ne jemi ndërmarrje serioze dhe me menaxhmentin e ri kemi bërë shumë reforma dhe kemi bashkëpunim të ngushtë me ATK-në dhe gjithashtu kemi marrëveshje me ATK për kthimin e borxheve të trasheguara, marrëveshje kjo e cila respektohet nga ana e Trafikut Urban. Vetëm për borxhe paguajmë ndaj ATK-së për çdo muaj shumën 51,500.00 mijë euro sipas marrëveshjes për shlyerje të borxheve”, ka thënë tutje Rexhepaj.

Rexhepaj shtoi se me konsulentët e BERZh-it janë në fazën e fizibilitetit, ku nga Trafiku Urban janë ofruar të gjitha informatat, raportet dhe llogaritjet e kërkuara. BERZh është në pritje te konfirmimit nga ana e Komunës së Prishtinës për të vazhduar edhe fazën finale të përfundimit të fizibilitetit për projektin tjetër të blerjes së 30 autobusëve, ku disa do të jenë elektrikë.

Në anën tjetër, raporti vjetor për vitin 2020 nga menaxhmenti i NPK “Trafiku Urban” Prishtinë është vlerësuar dhe përkrahur nga të gjithë asamblistët e Komunës javën që lam pas.

KALLXO.com ka kërkuar përgjigje edhe nga Komuna për të hyrat gjatë pandemisë nga kjo ndërmarrje, marrë parasysh që komuna paguan çdo kilometër të kaluar, dhe planin për tjetër kredi me BERZh, por nuk kemi marr ndonjë përgjigje deri në momentin e publikimit.

Trafiku Urban, synon blerjen e 30 autobusëve, në mesin e tyre edhe elektrik