Prishtinë - Shkrepet arma gjatë një përleshje, lëndohen 4 persona

Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar 3 burra të dyshuar të cilët si pasojë e një mosmarrëveshje të më hershme rreth një borxhi janë përleshur fizikisht në mes veti.

Sipas policisë rasti ka ndodhur dje rreth orës 22:00 në rrugën ‘Bill Klinton’ në kryeqytet, ku gjatë përleshjes njëri nga të dyshuarit kishte shtënë me armë zjarri dhe si pasojë e përleshjes të gjithë të dyshuarit dhe një dëshmitar kanë pësuar lëndime të lehta trupore dhe kanë pranuar tretman mjekësor.

Tutje policia sqaron se njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe si prova materiale lidhur me rastin kanë sekuestruar një pistoletë me 5 fishekë dhe një gëzhojë fisheku.

Sipas policisë me urdhër të prokurorit të dyshuarit janë liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.