Prishtinë, qytetarët nuk përfillin pengesat e vëna te shkolla 'Ali Sokoli' - VIDEO

Vendkalimi afër shkollës së mesme të mjekësisë “Ali Sokoli” në Prishtinë, është mbyllur me gardh, shumë vite pas ndërtimit të mbikalimit.

Ky hap u mor pas vënies së një semafori dhe shënjimit për këmbësorë tek hyrja e mjekësisë urgjente pak metra më lart.

Përpos semaforit, kalimtarët kanë si alternativë edhe mbikalimin, i cili ka disa vite që nuk po shfrytëzohet.

Gjendja e këtij mbikalimi është e rëndë pasi nuk është bërë ndonjë ndërhyrje prej kur është ndërtuar. Brenda mbikalimit ka shumë mbeturina dhe dërrasat janë të prishura, gjë që i bën të papërshtatshme për të ecur.

Kurse, para disa kohësh është bërë kërkesë që të vendoset një ashensor te mbikalimi pasi qytetarët e moshuar dhe gratë me karroca të fëmijëve e kanë vështirë ta shfrytëzojnë atë.

Një pjesë e qytetarëve nuk po u pengon aspak vënia e rrethojës pasi po kalojnë në pjesën poshtë, gjë që paraqet rrezik për goditje nga ndonjë makinë.

Si duket, vetëm prezenca e policisë në këtë pjesë do mund t’i ndalë këta qytetarë.

Bekim Rexhepi, qytetar i Prishtinës tha se vendimi është i qëlluar, por mbikalimi është i vështirë për të moshuar duke mos lënë anash edhe gjendjen e keqe të mirëmbajtjes.

“Ky është vendim i qëlluar, por për personat në moshë dhe fëmijë pak më e vështirë, patjetër është dashur të vendoset kjo.  Gjendja e mbikalimit është e mjerueshme, kryetari Shpendi nuk është interesuar fare për Prishtinën”, tha Rexhepi.

Hashim Grajqori,  po ashtu qytetar i Prishtinës, tha se pengesat janë vendim i mirë pasi bëhej tollovi në trafik, ai shtoi se tani e kanë semaforin kurse për personat që po kalojnë përfundi pengesave tha se policia duhet t`iu shqiptojë gjoba.

“Këtë e kanë bërë shumë mirë, për shkak se edhe komunikacioni bëhej tollovi, por le të marrim kulturë njëherë e përgjithmonë. Semaforin e kanë 10 metra, nëse nuk duan le të hipin lart, por mbikalimi është i ndotur, kështu më mirë le të dalin në semafor. Ata që po kalojnë poshtë pengesës policia duhet të shqiptojë gjoba”,  tha Grajqori

Osman Vitija, banor i kryeqytetit, tha se mbikalimi nuk po shfrytëzohet sa duhet, ai  shtoi se aty duhet të  ketë edhe ashensor pasi ka shumë shkallë. Kurse për kalimtarët që po shkojnë përfundi pengesave të vëna  tha se ajo paraqet rrezik në çdo moment.

“Mbikalimi është në vendin e duhur por për fat të keq nuk po  shfrytëzohet sa duhet, është dashur të sigurohet një lift sepse është shumë i papërshtatshëm, ka shumë shkallë, sidomos për të moshuarit dhe e keqja është që as nxënësit nuk e shfrytëzojnë. Tani është bërë një alternative këtu me semaforin që ndoshta është më e qëlluar.  Përfundi pengesës nuk bënë të kalohet sepse aty mund të paraqet rrezik në çdo moment, andaj duhet respektuar shenjat e jo të kalojmë ku të mundemi”, tha Vitija