Prishtinë, Policia inauguron stacionin Veriu

Sot në kryeqytet është inauguruar stacioni policor Veriu.

Stacioni policor Veriu, që ndodhej në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë, që nga data 08.11.2022, është zhvendosur në objekt të ri në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.

Kjo ngjarje u organizua nga zyrtarë për inaugurimin e objektit, nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë, respektivisht nga menaxhmenti i stacionit Veriu, njoftoi zyra për medie e forcave të rendit.

“Në këtë event Drejtori i Drejtorisë Rajonale, Nënkolonel Fehmi Xhata dhe stafi i tij , pritën të ftuarit, Kryetarin e Prishtinës, z.Përparim Rama me përfaqësues të Komunës së Prishtinës si dhe deputetin, Mefail Bajqinovci, përfaqësues nga Komisioni Parlamentar për Siguri” – thuhet në njoftim.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, njoftoi se objektin ku tani do të jetë stacion policor e ka dhënë ekzekutivi lokal në shfrytëzim për forcat e rendit.

“Për shkak të nevojës emergjente të largimit nga zyrat – kontenierë të deritashëm, Policisë së Kosovës i dhamë në përdorim të përkohshëm një objekt të Kryeqytetit, derisa të përfundojë ndërtimi i objektit të ri të përhershëm në Kodrën e Trimave. Ju faleminderit për shërbimin tuaj” – shkroi Rama në Facebook.

Gjatë fjalimeve të gjithë pjesëmarrësit shprehën gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejmë, në të gjitha fushat, ku qëllim të përbashkët kishin sigurinë dhe shërbime më cilësore për qytetarët.