Prishtinë, Policia gjen rreth 11 kilogramë marihuanë të fshehur në një fuçi plastike

Rreth 11 kilogramë substancë narkotike që dyshohet të jetë marihuanë është gjetur sot, më 06.11.2024, në fshatin Bërnicë e Poshtme të Prishtinës.

Sipas Policisë, deri në këtë fazë një person është arrestuar ndërsa u njoftua se sasia e marihuanës u gjet e kamufluar në një fuçi plastike.

Marihuana u gjet nga hetuesit e Njësisë së Antidrogës të Policisë së Kosovës në Ferizaj pas një pune të vazhdueshme profesionale në një rast të mëparshëm ku ishin arrestuar dy persona të dyshuar dhe ishin kapur disa gramë marihuanë.

“Më datë 06.11.2024 kanë vazhduar me punën e tyre në kërkim të personit të dyshuar shitës me ç‘rast gjatë në orët e pasdites gjatë një operacioni taktik të koduar me emrin “Transferi” në funksion të zbatimit të Urdhëresës së Gjykatës Themelore në Ferizaj, ndihmuar edhe nga antidroga në Prishtinë, është realizuar kontroll i një shtëpie me objekte përcjellëse në fshatin Bernicë të poshtme Komunës së Prishtinës” – tha Policia.

Policia tregoi se rasti po vazhdon të hetohet dhe të gjitha veprimet tjera do të ndërmerren në bashkëpunim me organet e drejtësisë.