Prishtinë, platforma lëvizëse për persona me nevoja të veçanta jashtë funksionit

Platforma lëvizëse për persona me nevoja të veçanta e përuruar në dhjetor të vitit 2020 tek objekti i vjetër i komunës është jashtë funksionit.

Bashkë me këtë platformë ishte përuruar edhe ashensori i komunës i cili është në funksion dhe bën bartje nga kati përdhesë.

Shoqata për persona me aftësi të kufizuar “Qëndro aktiv” ka reaguar lidhur me mos funksionimin e kësaj platforme.

“Ky ashensor nuk funksionon. A ju kujtohet projekti “madhështor” për ashensor në Komunë të Prishtinës? Kur komuna dhe OJQ-të bënin filma dhe biznes me kartela të liftit”, kanë shkruar në rrjetin social Facebook OJQ ‘Qëndro aktiv’.

Në kohën kur është përuruar kjo platformë dhe ashensori, komuna ndau kartela për shtatë shoqata të personave me aftësi të kufizuar që do mund ta përdornin atë.

Vasilika Zotaj nga Drejtoria e Administratës për KALLXO.com ka thënë se arsyeja pse kjo platformë është jashtë funksionit është skadimi i kontratës për mirëmbajtje të ashensorëve.

“Është një projekt i përfunduar para se unë të hyja në këtë post, unë jam munduar që ta vë në funksion atë platformë, por këto kohë nuk kemi pasur kontratë për mirëmbajtje të ashensorëve, ” ka thënë Zotaj.