QMF ne lagjen 'Kalabria'

Prishtinë - Përqindja e personave që rezultojnë me COVID-19 nga testimet e shpejta

Që nga data 21 dhjetor 2020, komuna e Prishtinës ka filluar me kryerjen e testimeve të shpejta antigjenike COVID-19.

Këto teste po bëhen në qendrën e mjekësisë familjare në lagjen ‘Kalabria’, e cila është shndërruar në qendër për trajtimin e pacientëve me COVID-19.

Rezultati i këtij testi merret brenda 20 minutave.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi për KALLXO.com ka thënë se nga 3,250 teste deri më sot, 25 për qind prej tyre kanë rezultuar pozitivë me COVID-19.

Gashi tutje shtoi se për momentin ka rezerva të mjaftueshme dhe do vazhdohet kështu edhe në të ardhmen.

“Nga data 21.12.2020 në qendrën për Covid-19 në lagjen ‘Emshir’ janë realizuar 3,250 testime antigjenike rapide. Rreth 25% e tyre në baza ditore rezultojnë të jenë pozitive. Kemi rezerva edhe për 14,000 testime dhe do ketë edhe në të ardhmen”, ka thënë Gashi për KALLXO.com.

Komuna e Prishtinës nga mesi i dhjetorit ka filluar edhe kryerjen e testit D-Dimer, test ky shumë i kërkuar te personat e prekur me COVID-19.

Në Prishtinë gjithashtu janë edhe katër qendra në të cilat po kryhen testet serologjike, për identifikim të antitrupave në gjak.

Testi D-dimer shumë shpejt në qendrat e mjekësisë në Prishtinë