Prishtinë, përfundojnë listat e testimeve serologjike, prej nesër përpilohen të rejat

Në qendrat e mjekësisë familjare në Prishtinë këto ditë nuk janë kryer teste serologjike.

Kjo sipas drejtorit të Shëndetësisë, Bujar Gashi, ka ardhur si pasojë e përfundimit të listave të krijuara dhe prej nesër pritet të përpilohen të rejat.

“Nuk është se janë ndërprerë këto teste, por kanë përfunduar listat e krijuara dhe nesër startojnë të bëhen prapë në QMF 5 për rastet të cilat referohen nga mjekët familjare në QMF-të tona, pra nuk janë ndalur me vetë dëshirë”, ka thënë Gashi për KALLXO.com

Testet serologjike (me gjak) që identifikojnë sasinë e antitrupave të krijuar nga përballja me virusin COVID-19 kanë filluar të bëhen në Prishtinë nga fundi i vitit 2020.

Testi serologjik preferohet të bëhet pasi të keni kaluar virusin, ose nëse dyshoni që keni qenë të prekur.

Aktualisht kërkesa për këtë test është në rritje, pasi shumë persona që kanë kaluar COVID-19 dhe duan të dhurojnë plazmën për dikë në gjendje jo të mirë, duhet që përmes këtij testi të bëjnë identifikimin e sasisë së antitrupave në gjak.