Prishtinë, pas raportimit të KALLXO.com, pezullohen testimet për 20 euro për COVID-19

Laboratori privat “Avicena- KS”, i cili pretendon se mund të kryejë teste për COVID-19, ka njoftuar se i ka pezulluar të gjitha terminet për kryerjen e tyre.

Sipas njoftimit të laboratorit, pezullimi i këtyre testeve është bërë për shkak të situatës së krijuar me Ministrinë e Shëndetësisë.

“Avicena- KS ju lajmëron që në për momentin i ka pezulluar terminet për arsye të disa deklarimeve nga zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë, ashtu që drejtoria e laboratorit ka vendosur t’i pezullojë të gjitha terminet për një kohë derisa të sqarohet situata e krijuar me Ministrinë e Shëndetësisë.. Në momentin që do të fillojmë testimet, do t’ju kontaktojmë dhe informojmë për termimin tuaj”, thuhet në njoftimin e laboratorit.

KALLXO.com ka raportuar se ky laborator ka nisur të promovojë se mund të kryejë teste për COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar për KALLXO.com se IKSHPK është i vetmi institucion që kryen teste të aprovuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, të cilat kryhet me metodën REAL TIME PCR.

Laboratori Avicena- KS, i cili pretendon se mund të kryejë teste, ka njoftuar ditë më parë se tashmë ka filluar terminet për testet për COVID-19, por një gjë e tillë nuk është aprovuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Laboratori kishte njoftuar se tashmë është furnizuar me teste dhe do të mund të kryejë 50 të tilla në ditë me çmim nga 20 euro secila.

Laboratori tutje ka thënë se terminet mund të bëhen në një numër telefoni dhe vetëm pas terminit do të mund të shkojnë ta kryejnë testin.

“Avicena-ks u furnizua me teste për detektimin e Covid-19. Kapaciteti është deri në 50 teste në ditë me çmim nga 20€. Testimi kryhet vetëm me një termin të caktuar, që bëhet paraprakisht përmes numrit të telefonit 049 356 888, që është në dispozicion në intervalin kohor 08:00-20:00.Pacientët që nuk kanë caktuar termin për testim nuk do të pranohen për marrjen e mostrës. Pacientët që do të vijnë për testim duhet të mbajnë maskë mbrojtëse. Testi që përdoret është test i shpejtë dhe preciz kromatografik për detektim të antitrupave IgG dhe IgM të krijuara nga koronavirusi (COVID-19). Me përdorimin e kombinuar të testit IgG dhe IgM mund të detektohet prezenca e infeksionit virusal ose kontakti paraprak me infeksionin virusal përmes statusit imunologjik të trupit”, thuhet në njoftimin e laboratorit të publikuar në web faqen e tyre.

Ministria e Shëndetësisë në përgjigje për KALLXO.com ka mohuar se ka institucion tjetër në Kosovë që mund t’i kryejë testet për COVID-19.

“Ministria e Shëndetësisë nuk ka aprovuar përdorimin e ndonjë lloj testi tjetër për zbulimin e SARS-COV -2, përveç testimeve me RT-PCR që kryhen në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK. Duke pasur parasysh nevojën dhe rëndësinë që testimet ta kenë saktësinë më të madhe të mundshme, ato janë bërë vetëm në IKSHPK, pra në sektorin publik, me aparaturë të dëshmuar për saktësi të rezultateve”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Gjithashtu tutje në përgjigjen e ministrisë thuhet që as Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk ka aprovuar testet rapide për SARS-COV-2 për diagnostikim klinik, sepse testet e tilla përdoren më shumë për qëllime të studimeve shkencore.

Edhe në Ligjin për Shëndetësi, veprimtaria private në sektorin e shëndetësisë nuk u lejohet veprimtaria në lëminë e epidemilogjisë (përveç dezinfektimit, dezinsektimit, dhe deratizimit parandalues),
ekologjia humane, dhe mikrobiologjia e mjedisit

Laboratori Avicena- KS në anën tjetër ka njoftuar për qytetarët se testimi kryhet përmes marrjes së mostrës së gjakut, ndërsa procedura e testimit nuk zgjat më shumë se 10 minuta. Mostrat e testimit të Covid -19 merren në një hapësirë speciale të ndarë tërësisht nga pjesa tjetër e laboratorit me qëllim të sigurisë dhe mbrojtjes maksimale.

Ky laborator, përmes një reagimi, gjatë ditës së sotme ka thënë se posedojnë lejen e importit të testeve për COVID-19.

“Laboratori Avicena -KS demanton lajmin e publikuar në disa media se testet e COVID-19 që ne i ofrojmë nuk janë legale. Ne posedojmë lejen e importit të këtyre testeve, te cilat janë në bazë të standardeve të BE-së”, thuhet në reagim.

Laboratori ka paralajmëruar padi nëse Ministria e Shëndetësisë ia ndal aktivitetin.

“Ministria e Shëndetësisë nuk ka bazë ligjore që të ndalojë punën e laboratorit tonë. Çdo përpjekje që në bazë joligjore të ndalë aktivitetin e laboratorit, do të jetë subjekt i padisë gjyqësore nga ana jonë”, thuhet tutje aty.