Pamje emocionuese kështu trajtohen të sëmurët me Coronavirus në Prishtinë

Në kuadër të rubrikës Heronjtë ekipi i KALLXO.com ka përcjellë punët një ditë të stafit të mjekëve të intensives së Klinikës Infektive ku trajtohen rastet më të rënda të pacientëve të prekur me COVID-19.

Një nga punët më të vështira në kohë pandemia është ajo e mjekëve të kujdesit intensiv të cilët përballën me pacientët me gjendjen më të rëndë me COVID-19.

Infektologu, Nderim Hasani, që është mjek i kujdesit intensiv rrëfen për KALLXO.com ditën e tij të punës.

Ai kujton edhe rastin e parë të shfaqjes së COVID-19, që sipas tij ka qenë krejt emocion sepse ishte hera e parë që do të përballeshin me këtë virus të panjohur, i cili tashmë kishte kapluar pothuajse të gjithë botën.

“Ditën e parë kur është diagnostikuar rasti i parë me COVID-19, kam qenë kujdestar, ajo ka qenë dita kur ne shprehemi me shumë emocione, ato kanë qenë emocione negative sepse erdhi rasti i parë, si sëmundje e re. Kjo ka qenë e re, sepse infeksionet e tjera virale s’janë të reja për ne”, shprehet infektologu Hasani.

Në këtë reportazh, shihen pamjet kur mjekët e kujdesit intensiv të Klinikës Infektive kujdesen 24 orë për pacientët që janë në gjendje të rëndë me COVID-19.

Mantel bardhët, që duhet të kujdesen 24 orë për pacientët me COVID-19 dhe janë të veshur me pajisje mbrojtëse, prapë se prapë mbajnë distancë sociale mes vete.

Doktorët mbajnë kontakte të vazhdueshme me pacientët e shtrirë në kujdes intensiv, bisedojnë me pacientët dhe kujdeset edhe për shëndetin e tyre mendor.